Në një stan të humbur mes maleve të Kolonjës, jeton Rio – një bari i ardhur nga India, i cili me praninë e tij të heshtur është një dëshmi e një tradite që në këto anë është në rrezik zhdukjeje. Roi nuk është thjesht një i ardhur i rastësishëm; ai është dëshmitari dhe, në njëfarë mënyre ndoshta një nga ruajtësit e fundit te një jetese që ka formuar ekonominë, kulturën dhe shpirtin e krahinës për mijëra vjet.
Dikur, Kolonja gumëzhinte nga jeta baritore. Tufat e mëdha të kolonjareve udhëtonin drejt bregdetit të Jugut apo viseve të Çamërisë, duke ndjekur ritmet sezonale të një jete të ndërtuar mbi rritet pagane të natyrës, kulturën pastorale, adhurimin për malet si dhe në bashkëjetesë me kafshët. Zilet e mëdha të cjepëve që prinin kopetë, te sjella nga Janina apo Leskoviku kumbonin përgjatë brigjeve të Vjosës, deri sa zbrisnin në ultësirat pjellore. Kolonja dhe Kurveleshi dikur ishin ndër krahinat më të pasura me kope dhe stane, duke krijuar një ekonomi të qëndrueshme dhe një kulturë të tërë të bazuar në blegtorinë nomade.
Sot, kjo botë është thuajse në shuarje. Numri i tufave dhe i staneve në Kolonjë dhe Kurvelesh është zvogëluar ndjeshëm. Jetesa baritore mbahet me vështirësi të mëdha dhe shpesh nga njerëz në kufijtë e mbijetesës.
Në këtë realitet të zymtë, ardhja e Roit merr një kuptim të veçantë. Ai është simbol i një cikli që po mbyllet jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën: shuarja e jetës dhe kulturës baritore – një epokë mijëravjeçare që po vdes ngadalë, para syve tanë.
Roi, me mënyrën e tij të heshtur dhe përkushtimin ndaj tufës së tij, mund te jete ndoshta kujtimi i fundit i gjallë i një harmonie të humbur mes njeriut dhe natyrës.
Shuarja e kulturës baritore – një humbje e madhe për identitetin dhe të ardhmen turistike të Shqipërisë.