Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese i rrëzoi padinë për shpifje ndaj Lulzim Bashës të ngritur në vitin 2018. Rama me anë të një postimi në platformën X shprehet se kjo shpifje nuk do ta largojë dot atë nga detyra.
Kryeministri thotë se për këtë gjykatës iu deshën 7 vite për të dalë në konkluzion. Rama shprehet se ky vendim është absurd dhe është nën nivelin logjik të një 12-vjeçari.
Postimi i plotë:
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!
Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!