Edhe në një aksident mund të mësojmë gjëra të vlefshme për jetën!

spot_img
Advertisements

nga Mentor Kikia

U përfshiva pak ditë më parë në një aksident, në vendin ku nuk bëhen kurrë aksidente, në një parkim, por ndaj quhet aksident.
Makina që më goditi, drejtohej nga një djalë shumë i ri. Djali ishte shtetas maqedon, jo shqiptar dhe makina e tij me targa të Shkupit. Për shkak të pozicionit dhe faktit që ishte ai që goditi mjetin tim, dëmin më të madh e pësoi makina ime.

Djali doli nga makina e tij dhe po zinte kokën me duar nga ajo që kishte ndodhur.
Bashkë me të, dy vajzë adoleshte, njera prej të cilave dridhej dhe gati qante. Zbrita nga makina ime, pa parë ende me vëmendje se sa ishte dëmtuar, por me instiktin e një prindi, e qetësova djalin. I hodha dorën në sup, duke i thënë se nuk ka asnjë problem. Është thjeshtë një aksident. Askush nuk është lënduar, kjo ka rëndësi. Vajza vazhdonte të ishte shumë e tronditur. E përqafova dhe pashë që e vuri kokën në kraharorin tim dhe sikur gjeti ngushëllim.

Lajmërova policinë ndërkohë të kryente procedurat me siguracionet përkatëse.

Pak pasi kaloi kjo situatë, vajza po bënte foto dhe video të makinave të dëmtuara. Pastaj erdhi e më tha se e kisha unë fajin. I kërkoi edhe djalit të bënte të njëtën gjë dhe u përpoq edhe ai të mbante të njejtin qëndrim.

Buzëqesha me vete.
-Mirë mirë, u thashë, e përcakton policia se kush e kishte fajin. Gabimi ishte juaji gjithësesi. Madje po ecnit shumë shpejt në një rrugicë parkimi. Këtë e tregojnë edhe filmimet ekamerave të sigurisë.
Ata këmbëngulën gjatë se nuk ishin përgjegjës dhe refuzonin edhe të firmosinin aktin e konstatimit në vendngjarje.

Oficeri i policisë i vendosi një gjobë minimale, 2.000 Lekë, por nëse e paguan direkt bëhet 1,000. Vajza pa shifrën 1.000 dhe e kapi sërish paniku.
-Nuk kam para – tha.
-S’ka gjë – i thashë, ju ndihmoj unë dhe mi dërgoni kur të mundeni.
Ajo kishte menduar se gjoba ishte 1,000 Euro. Por u qetësua kur mësoi se 1,000 Lekë bënin 10 Euro.
Pastaj donin të dinin nëse mund të udhëtonin deri në Shkup me atë dëmtim të makinës. E ndihmova oficerin të bënte një kontroll të shpejtë dhe ai tha se nuk ka asnjë problem për sigurinë e udhëtimit.
Unë i këshillova sërish: Por kujdes, mos ecni shpejt.
Shpresoj të kenë mbërritur shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre.

Por shpresoj që, si të rinj që ishin, të kenë mësuar dicka: Të pranosh gabimin që bën, dhe të kërkosh falje është një gjë shumë e rëndësishme.

Gjithashtu, shpresoj të kenë mësuar se dashamirësia dhe sjellja e mirë e tjetrit nuk është as dobësi dhe as tregon faj.

Njeriu ca leksione nuk merr në asnjë lloj shkolle, por mund ti marrë edhe në një aksident.

Latest articles

Related articles