Si po i gjen Doktori armiqtë e brendshëm në Parti ? – Analiza

spot_img
Advertisements

nga Sebastian Zonja

Shumë shekuj më parë një filozof kinez shkruante se për të kapur mushkonjat duhet ndezur një pishtar zjarri. Mushkonjat do mblidhen rrotull dritës, ndaj merr rrjetën dhe kapi, shkruan ai.
Më dukej si citim pa shumë vlerë derisa lexova një analizë të një politologu italian se si Silvio Berluskoni, diku nga vitet 2000, kishte hequr qafe armiqtë në parti në këtë mënyrë. Pak a shumë, hapi llafe se njëri nga ministrat, shumë ambicioz si tip, do i zinte vendin. Edhe vetë ministri u bind se do ishte ai pasuesi. Dolën nga skutat gjithë ata që ishin kundër Berluskonit. Asnjërit s’i tha “edhe ti, Brut?!”. Një nga një i hoqi qafe se i prishnin punë.
Sot, për shembull, Sali Berisha ka hapur llafe se mund të largohet. Kënaqet grupi i këngës “Berisha, ik!”. Jo se ka ndërmend, por duhet të gjejë armiqtë e brendshëm në Parti. Duke qenë se ka bazën, ai na mëson se siç u tentua ndarja e Vetëvendosjes në Kosovë nga sipër, si çarja e Lulzim Bashës sërish nga kupola, nuk kanë asnjë efekt politik. Fytyra e partisë dhe e aksionit politik është grupi parlamentar. Atë e zgjodhi sipas midesë së vet. Tani, këto muaj të nxehtë vere, ka hapur rrjetën të zërë mushkonjat. Në shtator që nis parlamenti i ri e ka kalibruar si duhet grupin dhe ata që bzajnë tavolinave, lart e poshtë, se do rrëzojnë Berishën, do shkojnë si çeço t’i ulen më gjunjë. Nuk fitojnë dot në lojën e tij, pa pasur asnjë simpatizant demokrat mbrapa apo ndonjë strategji afatmesme, përveç llafeve me agjentura dhe llogje pazari.

Latest articles

Related articles