Ruel Domi
11 Maji theu disa pritshmëri. Së pari, atë të partive të reja të cilat kërkonin përfaqësim voluminoz në parlament. Premtimet e ‘Davidëve’ të politikës shqiptare për 13 mandate dukeshin si mrekulli nga ‘Eposi i Kreshnikëve’ në mëngjesin e 12 Majit kur rezultatet flisnin për mazhorancën plebishitare të Edi Ramës dhe triumfin zyrtar të ‘Goliathit’ të politikës shqiptare, duopolit PS-PD. Së dyti, 11 Maji shkërmoqi shpresën fijehollë të opozitës së PD-së për të nuhatur aromën triumfale të pushtetit mbas 12 vitesh trullosje nga aroma e rëndë e avllisê së rakisë opozitare. Së treti, 11 Maji i dha një herë e mirë përgjigje atyre pak liberalëve Perëndimorë e Nolistë të skenës publike shqiptare: shqiptarët nuk janë popull demokratik e ndoshta nuk kanë për t’u bërë kurrë. Në rastin më të mirë, kemi mbajtur në kurriz autoritarë si Zogu, Berisha e Rama, ndërsa në rastin më të keq, i kemi dhënë ‘Hoxhës Enver’ 45 vite dorë të lirë për diktaturë proletariati. Kjo premisë e pa veten të manifestuar më së miri në rezultatin e 11 Majit, ku në rastin më të mirë u afirmua sistemi i mbyllur i kryetarokracisë e bipartitizmit të 2008-s, e në rastin më të keq iu dha ‘PS-së së Ramës’ dhe ‘Ramës së PS-së’ një mandat i katërt që mban aromë “regjimi hibrid”.
Post-11 Maj ‘opozita në botën e çudirave’ ishte në dilemë të madhe: të pranonte se i kishte gënjyer votuesit e saj dhe se me Edi Ramën nuk mund të hyhej dot në zgjedhje apo të emërtonte 11 Majin si masakrën e ardhshme që as Trumpi e as La Civita nuk e ndali dot? Për hir të së vërtetës, ishte e qartë në kokën time që Saliu nuk do t’i njihte zgjedhjet. Kjo jo sepse Saliu është deleja e zezë e politikës shqiptare, por sepse tradita jonë politike bipartiake e autoritare e sheh pranimin e humbjes jo vetëm si dobësi por si sakrilegj, thyerje të ‘kanunit’ politik dhe madje-madje si zhburrërim politik që të ‘deshqiptarizon’ e të çnderon. Me përjashtim të rotacioneve plebishitare e me mbështetje zyrtare euroatlantike nga mbrapa si në 92-shin, 96-ën, 05-ën dhe 13-ën, udhëheqësit politikë shqiptarë nuk i kanë njohur zgjedhjet dhe Sali Berisha nuk është përjashtim i kësaj aksiome. Prandaj reagimi opozitar mbas 11 Majit nuk duhet të na surprizojë.
Vlen të thuhet që zgjedhjet nuk ishin të lira e të ndershme. Kjo jo sepse Edi Rama është vjedhësi më i madh i zgjedhjeve në historinë e Shqipërisë, por se në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje të lira e të ndershme. Këtë vit misioni i OSBE-së i konsideroi zgjedhjet si “konkurruese” dhe “profesionale”, por me probleme të thella në përdorimin e medias dhe administratës nga qeveria. “Ku ka zë nuk është pa gjë,” thotë populli, kështu që akuzat e ‘opozitës në botën e çudirave’ për zgjedhjet jo të ndershme nuk janë pa gjë. Thënë kjo, zgjedhjet nuk u vodhën. Për analistët që nuk jetojnë në botën e çudirave por në atë të fakteve, zgjedhjet nuk u vodhën sepse nuk ka asnjë provë për vjedhjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, jam i bindur që ka pasur blerje votash, por jo të përhapura dhe sistematike për të justifikuar hemorragjinë elektorale të opozitës shqiptare, nga e cila firuan afro 250,000 vota në 11 Maj.
Problemi me ‘opozitën në botën e çudirave’ është mungesa e reflektimit. Problemet socio-kulturore të shqiptarëve janë të ditura, dhe pavarësisht epshit intelektual për fajësim të popullit dallkauk e të paedukuar shqiptar, është jetike që opozita të dalë nga bota e çudirave, të reflektojë dhe të bëjë kolaudim të plotë të strategjisë politike. Publiku shqiptar në Shqipëri e diasporë foli, dhe mesazhi është i qartë: Sali Berisha dhe shpura e tij janë të paaftë për ta sjellë PD-në në pushtet, e kjo sepse në sytë e një pjese të demokratëve po dhe votuesve të pavarur, Berishës & Co i ka kaluar ora politike.
Nëse keni lexuar deri tani, do kuptoni që unë po njëhsoj opozitën me Partinë Demokratike. Por opozita është më e gjerë se kaq. Në zgjedhjet e 11 Majit, ‘Mundësia’ e Agron Shehajt mori 2 mandate, e ndjekur nga ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapaj dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit me respektivisht nga 1 mandat. Jam i bindjes se këto parti të reja, pavarësisht hyrjes në parlament, dështuan në përpjekjen e tyre epike për çarjen e sistemit. Mund të thuhet që sistemi u kris por nuk u ça. Vlen gjithashtu të thuhet se partitë e reja, po si Partia Demokratike, kanë lundruar për pak apo shumë kohë, sa nga presioni i opinionit publik e sa nga deliri elektoral shqiptar, në dallgët e pritshmërive pa lidhje me sondazhet dhe pa baza në realitet faktik. Pavarësisht se unë do doja qe ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ të kishte përfaqësim të gjithanshëm në Parlament, premtimet për ‘300 mijë vota në kuti’, në kushtet e një asfiksimi elektoral nga sistemi i mbrapshtë proporcional kombëtar i 2008-s, ishin të shkëputura nga realiteti. Për ta ilustruar këtë realitet, mjafton të vrojtohet raporti i votave me mandatet e prodhuara nga partitë e reja e të vogla. Sipas KQZ-së, Nisma Shqipëria Bëhet është forcë e tretë politike kombëtarisht me afro 64,000 vota. Këto 64,000 vota prodhuan 1 mandat po aq sa ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit që mori 3 herë më pak vota. Ndërkaq, ‘SHPK-ja politike’ e Tom Doshit mori afro 50,000 vota të cilat u përkthyen në 3 mandate. Në kokën time është e qartë që partia e Tom Doshit u krijua e fry nga Edi Rama si kovë ku do mblidhej uji i votave që rrodhi nga ‘bolieri elektoral’ i PD-se e që në mungesë të PSD–së, do shkonte tek partitë e reja. Kjo justifikon dhe rezultatin e ulët të partive të reja votat së cilave vajtën tek e ashtequajtura “Parti Social Demokrate”. Ky sistem është i ndërtuar për konservim pushteti nga triumvirati PS-PD-LSI, nuk ka sesi të prodhojë shifra të larta për partitë e reja.
Pyetja që lind është: Si nxirret opozita nga bota e çudirave? Së pari, Sali Berisha duhet të largohet nga udhëheqja e PD-së. Largimi nuk mund e nuk duhet të jetë si ai i 2013-s, kur ‘de jure’ Berisha nuk ishte më kryetar i PD-së por de facto qeveriste PD-në nëpërmjet ‘beniaminit të tij politik’ Lulzim Basha. Berisha duhet të largohet dhe të marrë me vete shpurën e tij politike që edhe vetë populli opozitar nuk e do më. Më pas duhen bërë zgjedhje, të paorganizuara nga Berisha, por nga ndërkombëtarët, ku PD zgjedh kryetar e kryesi të re. Kjo duhet të ndiqet nga ‘koagulimi i plotë i gjakut politik’ të PD-së proces gjatë së cilit kërkohet falja për gjithë gabimet e 13 viteve Salizëm dhe 12 viteve opozitë. PD-ja hapet, pranon zërin ndryshe e përqafon konservatorizmin. Ndërkaq partitë e reja politike e ndajnë mendjen: o janë ideologjikisht djathtas e i bashkohen PD-së së ‘de-Salifikuar’ ose qëndrojnë a-ideologjike dhe populiste duke mbajtur njërën dorë në bakllava e tjetrën në kadaif”.
Sigurisht që ky skenar është imagjinar. Sali Berisha nuk do të largohet dhe grupi parlamentar i legjislaturës së shtatorit është më besniku ndaj Berishës që nga themelimi i PD-së në 1991-shin. Partia më e madhe e opozitës refuzon të reflektojë në lidhje me shkaqet e humbjes dhe me çfarë ajo mund të bëjë për të ardhur ne pushtet. Ndërkaq që partitë e reja në parlament, pavarësisht se janë vlerë e shtuar e një sistemi të mbyllur, vijojnë të vërtiten në një vorbull populiste të fajësimit të klasës politike e jo të shoqërisë për problemet e kësaj të fundit. Pa nxjerrë ‘opozitën nga bota e çudirave’, Edi Rama nuk e lë pushtetin. Deri atëherë, Edi Rama do vijojë mbretërimin ndërkaq që ‘opozita do vijojë të mbetet në botën e çudirave’. Lidhni rripat e sigurimit.