nga Indrit Vokshi
Partia e Punës në vitet 1980 degradoi në krejt gallatë, tragjike e komike.
Enveri e Ramizi i zhdukën ata që kishin lidhje me luftën, kishin legjitimitet për të folur dhe kishin dy gramë mend në kokë. Nuk ishin më pra, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Hysni Kapo, Tuk Jakova etj. Ishin Prokop Murra, Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Pilo Peristeri, Lenka Çuko.. këta me të cilët tallej mileti, ngaqë s’dinin gjë tjetër veç të lavdëronin udhëheqjen, të flisnin për sukseset e Shqipërisë Socialiste (e cila ishte me radhë buke) dhe t’i “frikësonin” njerëzit duke iu thënë se po nuk ishte shoku Ramiz e po devijuam nga rruga e shokut Enver, ne do na hajë gogoli imperialist, do ngordhim si parti e si Shqipëri.
Se sa qesharakë, debilë dhe mediokër ishin ata e dëshmoi koha: sapo u rrëzua pushteti i tyre e u hap kapitull i ri, Shqipëria nuk u shua, përkundrazi u përmirësua. Edhe vetë partia e tyre nuk u shua me ikjen e Enverit e Ramizit dhe të këtyre hajvanëve, përkundrazi, partia u reformua, për 7 vjet u rikthye në pushtet dhe sot qeveris prej 12 vjetësh e është në mandat 4.
Sepse ata, socialistët, në vitin 1991 bënë një rithemelim real; larguan Pali Miskat me shokë e shoqe, larguan ata që shanin Dritëro Agollin në kongres sepse iu kritikoi partinë dhe vazhduan përpara me Fatos Nano, Et’hem Ruka, Rexhep Meidani, Namik Dokle, Sabit Brokaj, Pandeli Majko, Ilir Meta, etj të cilët ishin shumë më pak qesharakë. E ja ku janë sot. Në kongresin e 2003, Edi Rama, ose Edvin Kristaq Rama i drogës ka thënë një shprehje: Partia nuk është monument kulture që duhet ruajtur i paprekur për shekuj.
Sot ka veç një parti në Shqipëri e cila funksionon në logjikën e Partisë së Punës së viteve ’80. Parti e cila dominohet nga një kontigjent mediokër politikisht të cilët si deputetë e zyrtarë të lartë nuk kanë kapacitetin dhe guximin për asgjë. Ata, njëlloj si Pali Miska e Simon Stefani, njëlloj si Prokop Murra e Lenka Çuko, vënë kujën se po ndryshuam, po guxuam të kërkojmë shtigje e rrugëdalje prej pusetës ku ndodhen, do të shkatërrohet bota, do na hajë armiku etj. Po cili armik? Se armiku më i madh i tyre është vetja e tyre dhe injoranca e tyre. Sot ka vetëm një anëtarësi e cila njëlloj si anëtarësia që shante dhe agresonte Dritëro Agollin në kongres pse guxoi iu kritikoi mitin, shajnë e agresojnë si armik, si të shitur e si të blerë cilindo njeri.
Kushdo brenda PD, me mençuri duhet të rrijë urtë e të mos thotë asnjë fjalë, se duke ndejtur urtë do ta shkatërrojnë sunduesin dhe tarafin e tij. Pse? Sepse do ta lënë pa armik të brendshëm. Duke e lënë pa armik të brendshëm ata do ta lënë atë kontigjent pa ushqim. Nëse krijohet armik i brendshëm, lukunia mobilizohen dhe bashkohen përballë rrezikut se po iu marrin partinë. Prandaj le ta lënë pa armik. Lëreni pa armik dhe do ta shihni si do shkërrmoqet keq.
Në vitin 1991 kryeministri i Bashkimit Sovjetik i deklaroi Perëndimit: Ju se kuptoni se duke u zhdukur ne, po iu bëjmë ju diçka të tmerrshme, sepse po zhdukemi si rrezik. Ju sdo keni më një gogol aq të madh për tu mobilizuar kundër tij e për tu bashkuar kundër tij.
Thjesht lëreni pa armik. Se ska ku shpik armiq të brendshëm tani në kohë të opinionit publik e teknologjisë, se e tallin e bëjnë meme. Se kryetari i vet i partisë së parë ku ishte anëtar, Enveri pra, krijonte armiq më lehtë ngaqë veç RTSH ishte dhe gazetat i kishte të gjitha nën pronësi.