Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka zbuluar se si funksiononte grupi kriminal që drejtohej nga Shqipëria. Dumani tha se nga 11 masa sigurie, 10 janë në Shqipëri dhe 54 persona janë të proceduar por shumica janë dënuar në Finlandë.
Ai shtoi se sasitë e drogës janë të mëdha sepse janë droga sintetike. Dumani tha se grupi i kishte bazat në Finlandë dhe herë pas here dërgoheshin nga Shqipëria.
“Ajo që vihet re tek këto grupe, është kjo që e para aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu drejtonin aktivitetin kriminal. Sot janë lëshuar 11 masa sigurie, 10 janë në Shqipëri. Janë 54 persona të proceduar dhe shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë nuk janë vetëm shqiptarë, por me shtetësi finlandeze dhe shtetësi të tjera.
Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është që është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus të tyre edhe droga sintetike.
Sasitë janë të mëdha, sepse janë droga sintetike, edhe ekstazi është kapur dhe të gjithë e dimë rrezikun. Tipologjia është e tillë, që ky grup kishte krijuar bazat në Finlandë dhe herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre, të cilët shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndëve narkotike.”, tha Dumani.