10 këshilla për të gjetur punën e jetës, edhe kur Cv-ja ju vlerësohet Zero!

spot_img
Advertisements

nga Jonis Y. Buzi

Shumë vjet më parë, kur isha ende student në vit të dytë, nisa të kërkoja punë në Tiranë. Kërkova punë edhe si kamerier, ndonëse s’kisha përvojë.

CV-ja e parë m’u vlerësua me ZERO. Zero. Sigurisht, nuk prisja të fitoja, sepse kishte të tjerë më me përvojë, por ka dallim midis zeros dhe një numri tjetër më pozitiv, ndonëse humbës.

E thashë këtë jo për të qarë hallin (hallet e mia nuk krahasohen me ato të të varfërve, të sëmurëve dhe të atyre që janë në zona lufte/gjenocidi si në Ukrainë ose Gazë), por për të thënë se e di si ndihesh.

Është e vështirë.

Shpesh të thonë që filani a filania e gjeti lehtë këtë ose atë punë. Kjo të dëshpëron edhe më shumë.

Dhe nuk ka më keq sesa kur humb shpresat.

Ja disa mësime që nxora gjatë rrugëtimit tim të gjatë dhe të mundimshëm drejt mjeshtërisë.

  1. Puno te një mentor. Këtu nuk është qëllimi të “vjedhësh zanatin” (siç thonë skuthat), por të formohesh dhe të sigurosh lirinë tënde më vonë.
  2. Çdo refuzim është një hap më pranë gjësë me të cilën është shkruar të merresh. Po të isha pranuar si kamerier, me shumë gjasë nuk do të isha bërë përkthyes.
  3. Çdo derë që mbyllet ka mbishkrimin: “Meriton më shumë. Trokit te tjetra!” Nëse je 20 dyer të mbyllura larg derës së suksesit, atëherë mbylli sa më shpejt që të mbërrish tek ajo. Mua më refuzojnë edhe tani. Nuk është personale: është ego.
  4. Dije që, herët a vonë, dikush do ta vërejë përkushtimin tënd dhe do të të japë mundësinë që po kërkon. Ajo që ti po kërkon, po të kërkon ty.
  5. Mos lër dëshpërimin të të bëjë skllav të askujt. Mos prano një vend pune thjesht pse të duhen lekë. Nëse nuk ke zgjidhje tjetër, atëherë, të paktën, puno edhe më fort që të dalësh nga bataku ku po e fut veten.
  6. Asnjë vend pune nuk duhet të të bëhet vendmbërritje. Shihe gjithçka si zhvillim. Dhe zhvillimi nënkupton që disa gjëra (dhe njerëz) duhet t’i lësh pas.
  7. Bëj gabime, por mëso prej tyre. Sot më lavdërojnë për përkthimet dhe dijen që kam në këtë fushë, por këto i fitova falë kritikave të mentorit. Në fillim fletët më ktheheshin plot korrigjime. Ndërsa sot jam unë ai që i kthej me korrigjime. Edhe për ty do të ndryshojë situata.
  8. Mos e ço dëm kohën. Disiplinohu. Bëje punë “part-time” kërkimin e punës. Mëso një gjuhë të re, shkruaj një libër a ditar, ndiej aromën e parfumit, dëgjo zhurmën e trafikut, ji me këmbë në tokë. E ardhmja nuk i është premtuar askujt, prandaj zotëro të tashmen. Bëhu si peshkatarët në stuhi, që nuk dalin të peshkojnë, por përgatisin rrjetat dhe mprehin shigjetat. Edhe ti përgatit CV-në, letrën e motivimit, mëso si të bësh marketing etj. Unë për vete mësova gjashtë gjuhë brenda një viti ndërkohë që u refuzova 80 herë.
  9. Mos rri me negativët dhe dekurajuesit. Ti ke fatin tënd, ata të tyrin, prandaj mos u krahaso. Shihjua njerëzve fytyrat e vërteta!
  10. Kur je keq, mendo që ka edhe më keq. Kur je mirë, ji mirënjohës, por kërko më shumë. Mos u hyr në hak njerëzve, sepse reputacioni do një jetë të fitohet dhe dy sekonda të bëhet hi.

Latest articles

Related articles