Vendi i të verbërve – Nga Enver Robelli

spot_img
Advertisements

«Vendi i të verbërve» është një tregim i shkurtër i publikuar për herë të parë nga Herbert Xhorxh Uells (H. G. Wells) në vitin 1904 në revistën britanike «Strand».

Në këtë tregim, autori na shpie në një fshat të izoluar malor në Ande të Amerikës Latine, ku është përhapur një sëmundje e çuditshme që i ka bërë të verbër të gjithë banorët e tij. Me kalimin e kohës, ata humbën kontaktin me botën e jashtme, asnjëherë nuk e braktisën luginën e tyre dhe brez pas brezi lindnin fëmijë që gjithashtu ishin të verbër, derisa nuk mbeti asnjë mes tyre që ishte i aftë të shihte.

Një ditë, ndërsa bjeshkatari Nionez po shijonte ngjitjen në male, i rrëshqiti këmba dhe ra poshtë malit, derisa përfundoi pikërisht në atë luginë të largët të të verbërve. Fatmirësisht, ai mbijetoi sepse ra mbi çatitë e mbuluara me borë dhe dru.

Gjëja e parë që vuri re ishte se shtëpitë nuk kishin dritare, muret ishin të lyera me ngjyra të çuditshme e të rastësishme, dhe vetë ndërtimi dukej kaotik. Atëherë ai arriti në këtë përfundim: «Këto shtëpi me siguri janë ndërtuar nga një njeri i verbër».

Kur nisi të kalonte nëpër fshat, filloi të thërriste njerëzit, por ata kalonin pranë tij pa e vënë re. Atëherë kuptoi se ndodhej në “Vendin e të verbërve”. Iu afrua një grupi banorësh dhe filloi t’u shpjegonte se kush ishte, nga vinte dhe se në vendin e tij njerëzit «shihnin».

Por sapo shqiptoi fjalën «shohin», ndjeu se kishte bërë një gabim. Njerëzit filluan t’i bëjnë pyetje:

— Çfarë do të thotë të shohësh?
— Si është e mundur që njerëzit shohin?
— Në ç’mënyrë?

Filluan ta tallnin dhe ta quanin të çmendur. Disa madje shkuan aq larg dhe propozuan t’ia nxirrnin sytë, sepse besonin se burimi i «çmendurisë» së tij ishte pikërisht fakti që kishte sy.

Nionez nuk arriti t’ua shpjegonte konceptin e shikimit atyre që kurrë nuk kishin njohur shikimin, as nuk mund ta imagjinonin atë. Ai u arratis, duke mos lejuar që t’i merrnin atë që konsiderohej sëmundje – shikimin e tij. Ndërsa po ikte, mendonte: «Si mund të jetë e drejtë verbëria, dhe shikimi një sëmundje?»

Porosia e tregimit:

«Vendi i të verbërve» është një metaforë për çdo komb dhe shoqëri ku mbizotërojnë padija, keqkuptimi, fanatizmi, varfëria, dhuna dhe urrejtja ndaj ndryshimit, ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit. Është një vend ku çdo ide që sjell dritë, njohuri dhe ndryshim, pritet me frikë, tallje dhe rezistencë. Është gjithashtu një shoqëri që nuk sheh, jo sepse nuk mundet – por sepse nuk dëshiron të shohë.

Latest articles

Related articles