Turqia, një aktor strategjik për zgjidhje globale

spot_img
Advertisements


Elton Metaj

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka qenë tejet i angazhuar javën e fundit në segmentin Moskë-Kiev për të siguruar rinisjen e bisedimeve që mund të çojnë drejt një paqeje të shumëpritur mes Rusisë dhe Ukrainës. Me bekimin amerikan, Ankaraja po përpiqet të realizojë atë që duket e pamundur prej më shumë se 3 vjetësh: Uljen në tavolinë të Moskës dhe Kievit.
Një kontakt direkt mes atyre që luftojnë prej 28 muajsh, i synuar në nivelet më të larta të mundshme, do të ishte injeksioni më i mirë për rritjen e besimit drejt paqes dhe shuarjen e erërave të luftës, aq shumë të përfolura se do të përhapen në Balltik e përtej.
Me praninë e Uashingtonit dhe mikpritjen e Turqisë, bisedimet e paqes do të kishin të gjitha gjasat për sukses. Dhe diplomacia intensive turke duket se po e “punon tokën” në mënyrë perfekte, në mënyrë që sa më shumë të paravendoset në distancë në aksin Moskë-Kiev dhe sa më pak të mbetet për të folur në tryezën turke.
Një taktikë e tillë do të rrisë në maksimum shanset për sukses e për arritjen e paqes dhe do të konfirmojë rolin e ri strategjik të Turqisë, jo thjesht si pritëse e samiteve ku ulen armët, por si ndërtuese e marrëveshjeve afatgjata gjeopolitike, edhe përtej rajoneve të influencës së saj historike.
Etja e përgjithshme për të gjetur më në fund paqen, marrëdhëniet shumë të mira Trump-Erdogan, zhvillimet e muajve të fundit në Siri dhe vendet përreth, kanë krijuar një kornizë që Turqia po tenton ta shfrytëzojë maksimalisht për t’i vënë vulën e saj një strategjie afatgjatë në politikën e jashtme.
E mirëkonceptuar dhe e ndërtuar me profesionalizëm, politika e jashtme e Ankarasë tashmë i ka dhënë Turqisë shanset e duhura për t’u konfirmuar si një fuqi më shumë se rajonale. Suksesi i mundshëm me paqen Rusi-Ukrainë është hapi i fundit në këtë trajektore të zgjidhjes edhe të krizave globale.

Latest articles

Related articles