Nis një javë e gjatë që do të kulmojë me finalen e Champions League të shtunën e 31 majit mes Interit dhe PSG-së. Ndër protagonistët e ditës së medias ishte Marcus Thuram: “Është një ndeshje e veçantë, sepse është një finale e Champions League. Për mua, ndoshta edhe më shumë: Po luaj kundër skuadrës nga qyteti ku jam rritur, shpresoj ta fitoj. Performanca ime ka rënë, por tani rëndësi ka të fitojmë këtë ndeshje”.
“Titulli në Serinë A ka kaluar, ne urojmë Napolin. Tani po mendojmë vetëm për finalen të shtunën. Për mua nuk është një surprizë, i njoh ata, është një klub i madh me lojtarë të mëdhenj dhe një filozofi shumë të qartë”.
Në Mynih do të krijohet sërish dyshja me Lautaro Martinez, një nga pikat e forta të skuadrës së Inzaghit: “Mendoj se të luash me dikë si ai është e lehtë për të gjithë. Ai është një lider, është kapiteni ynë, është kënaqësi të ndajmë fushën me të. Por kjo vlen edhe për të gjithë bashkëlojtarët e tjerë, Taremi, Arnautovic e Correa. Roli i Arnautovic është shumë i qartë. Për mua personalisht është si një vëlla i madh. Ai ka luajtur për Interin, ka fituar ‘Tripletën’. Është një figurë e rëndësishme”.



