Konsumi i tepruar i kripës kërcënon shëndetin e enëve të gjakut

spot_img

Konsumimi i lartë i kripës çon në hipertension dhe ndikon negativisht jo vetëm në shijen e gojës, por edhe në shëndetin e enëve të gjakut, thotë mjekja e njohur turke, Semiha Ayaydın Kaplan.

Në Turqi, një në tre të rritur vuan nga hipertensioni.

Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një konsum maksimal ditor prej 5,0 gramësh kripë (rreth një lugë çaji), në Turqi kjo sasi është mesatarisht dy herë më e lartë, thuhet në një deklaratë nga grupi shëndetësor ”Medicana”.

Kaplan, pjesëtare e Repartit të Sëmundjeve Interne në këtë spital, thotë se kripa e tepërt shkakton mbajtjen e ujit në trup, gjë që rrit vëllimin e gjakut dhe për rrjedhojë tensionin e gjakut.

Ajo paralajmëron se kripa ndodhet e fshehur në shumë ushqime të përpunuara.

“Kripa nuk lë gjurmë vetëm në shije, por edhe në enët e gjakut. Veçanërisht kripa e fshehur në ushqimet e gatshme dhe të përpunuara futet në trup në mënyrë të pakontrolluar, duke përshpejtuar zhvillimin e hipertensionit në periudhë afatgjatë”, thotë Kaplan.

Sipas saj, efektet e konsumimit të tepërt të kripës nuk kufizohen vetëm me hipertensionin.

“Konsumimi i tepërt i kripës rrit mbajtjen e ujit në trup, duke shkaktuar ënjtje në këmbë, duar dhe shputa. Gjithashtu, rrit ngarkesën mbi veshkat dhe me kalimin e kohës mund të çojë në dëmtimin e funksionit të tyre apo edhe në dështim të veshkave. Ndërkaq, zemra, përballë rritjes së vëllimit të gjakut dhe rezistencës në enët e gjakut, detyrohet të punojë më shumë, çka mund të shkaktojë lodhje të zemrës dhe rrezik për insuficiencë kardiake. Edhe shëndeti i kockave ndikohet negativisht, pasi kripa e tepërt rrit largimin e kalciumit nga trupi, duke rritur rrezikun për osteoporozë. Është e njohur gjithashtu që kripa mund të irritojë mukozën e stomakut dhe të shkaktojë probleme si refluks dhe gastrit”, shpjegon Kaplan.

Kaplan theksoi se ulja e konsumimit të kripës mund të përmirësojë dukshëm gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe rekomandoi shmangien e vendosjes së kripores në tryezë, përdorimin e kontrolluar të kripës gjatë gatimit dhe zëvendësimin e saj me erëza alternative për shije.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e leximit të etiketave në produktet e paketuara dhe të gatshme.

“Përqindja e natriumit në këto produkte mund të jetë shumë më e lartë sesa mendohet. Të gatuash në shtëpi dhe të bësh zgjedhje të ndërgjegjshme për sasinë e kripës në ushqimet jashtë shtëpisë janë mënyra efektive për të ulur konsumimin e kripës”.

Latest articles

Related articles