Apeli Kiço Londo: Duhet të rebelojmë dhe të gjejmë buzëqeshjen tonë

spot_img

Nga Kiço Londo, regjizor

E refuzoja propozimin e Këshillit Artistik të Teatrit Kombëtar dhe këmbënguljen e disa të rinjëve për të qënë në krye të Teatrit Kombëtar. Kërkova konkurs me shpresë se dikush tjetër do ta fitonte dhe unë do të vazhdoja në linjën jozyrtare. Konkursi nga MKRS u bë dhe unë paraqita një platformë. Më kualifikuan. Mbi tavolinën e Kryeministrit qëndroja bashkë me dy emra të tjerë. Gjeja arsye dhe shmangesha.
Kjo zgjati derisa mora vesh se Drejtorit të atëhershëm të TK, Profesor Agim Qirjaqit, në rrugën nacionale Përmet Korçë i kishin dalë përpara dy banditë dhe me kallashnikov në gojë i kishin kërkuar dorëheqjen brenda pak orësh. Të nesërmen dorëheqja u dha. Të gjithë u çuditën me atë dorëheqje të papritur. Askush nuk e dinte arsyen e dorëheqjes së papritur. U mpiva. Pas disa orësh i çova fjalë Kryeministrit, Profesor Fatosit se pranoja dhe doja të shërbeja në Teatrin Kombëtar. E firmosi menjëherë. Në darkë u takuam dhe i hutuar i thashë se çfarë doja të bëja me TK. Më dëgjoi, më përqafoi dhe më premtoi se do të më qëndronte në krah. E mbajti premtimin. Pas dy ditësh takova aktorët dhe stafin mbështetës te TK. Takimi zgjati fare pak minuta. “Do ti shërbej Teatrit- u thashë. Drejtimi do të jetë në grup. Përgjegjësia është e imja. Këshill Artistik nuk do të ketë, por do të ketë punë dhe vlerësime. Kryetar Sindikate do të jem vetë. Shkoni te Kryeministri dhe kërkoni drejtor”. Kaq.

Jam përpjekur të krijoj ekip të larmishëm që vepronte si “drejtor artistik në grup”. Për përvojën e deri atëhershme nocioni i drejtimit në grup ishte konfuz dhe mund të kthehej në burim zhgënjimi. Por përgjegjësia individuale për gjithçka, me një grup të suksesshëm, plot ego të forta, me forca të ndryshme, duke krijuar një tingull përtej talentit të cdo individi, ja doli. Anëtarët e grupit debatonin, bënin skema kundër njëri- tjetrit, kishin grindje, nuk flisnin për periudha kohore, kishin ulje ngritje, ndryshonin formacione, por krijonin shfaqje të bukura dhe kishim shumë publik (Në vitin 2002 kishim 4300 spektatorë, në vitin 2005 kishim 34.000 spektatorë). U kujdesa për shpirtin e lirë dhe krijues duke u hapur derën të gjithëve që kishin dëshira dhe ëndrra.

Përmes një repertori të guximshëm me vulë shqiptare por dhe me një orientim të bukur ndërkombëtar. U ngrit nga e para depo e dekoreve, u ngrit nga themelet “Salla e Re” me 250 vënde, u ribë pishina. U rikonstruktua godina e madhe e Teatrit, U rikonceptua oborri dhe u hoq prej tij asfalti. Fasada ndryshoi. U ndalua parkimi i makinave para TK. U rrit estetika moderne. Shërbimi dhe sjellja në TK ndryshoi rrënjësisht. U prezantua projekti i Qytezës së Teatrove dhe Institucioneve Kombëtare me 7 salla. Zhvilloheshin mbi 40 shfaqje turne në vit, gjysma në Kosovë dhe Maqedoni. U thirrën në Teatër emrat e mëdhenj që kishin mbi 20 vjet që nuk aktivizoheshin. U ngrit një shfaqje enkas për ta( Streha e të harruarëve). U thirrën të rinjtë, deri te studentët. Këta të fundit u pajisën me flet hyrje të veçanta. U realizua shfaqje vetëm me të rinjtë (Togeri i Inishmorit). Pedagogët e Artit Skenik u bënë pjesë e rëndësishme e shfaqjeve. Trupa e aktorëve të aktivizuar shkoi mbi 100. U vunë në skenë për tre vjet mbi 22 premiera dhe në qershor 2006 kur më larguan, TK kishte 15 shfaqje në repertor. U mbështeta fort nga publiku, artistët dhe qeveria. Të ardhurat nga biletat i mbanim thuajse në teatër.

Sot buxheti i TK për projektet është aq sa dikur fitonim nga biletat. Ekzistonin 8 lloje pagesash. 1- Pagesa mujore për 72 punonjës. 2- Shpërblim për regjisorët dhe aktorët për çdo natë shfaqje. 3- Shpërblim për figurat e veçanta artistike. 4- Shpërblim me dy paga mujore për aktorët e jashtëm gjatë kohës së provave. 5- Shpërblim për orët e punës jashtë orarit. 6- Shpërblim për prapavijën pas çdo premiere. 7- Shpërblime për 8 Marsin. 8- Shpërblim për çdo punonjës në fund të vitit. Në vitin 2005, 18 krijues dhe interpretues merrnin pagesë mujore më të lartë se drejtori TK- së dhe 12 prej tyre pagesën e kishin më të lartë se një deputet. Shkatrrimi i këtij sistemi, në vjeshtën e vitit 2006, në emër të rritjes së pagës mujore e la teatrin vetëm me pagën mujore, pa 7 pagesat e tjera.

Ky ishte një shkatërrim i sistemit të ndërtuar me sakrifica të jashtëzakonshme, i cili nuk u ngrit më kurrë dhe asgjë nuk duket në horizont. Për tre vjet përmes një gjuhe unike ndërtuam një ekip plot diversitet, që bashkoi të kaluarën dhe të tashmen me identitet personal dhe kolektiv, ndërtuam një teatër që fliste dhe dëgjonte. Nuk riprodhuam por u zgjeruam. Historia e rëndësishme me ndikim e Teatrit Kombëtar në vitet 2003-2006, mbetet deri më sot e pa kontestueshme në historinë e bukur, plot zig-zage të Teatrit Kombëtar.

Latest articles

Related articles