Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi sot se linja e sinjalizimit e Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) është tani aktive dhe në dispozicion të qytetarëve për të raportuar çdo rast lidhur me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. DEA ftoi individët që zotërojnë informacione për këto aktivitete të kontaktojnë përfaqësuesit e saj përmes kanaleve të siguruara.
Ambasada theksoi se çdo informacion i dhënë do të mbahet konfidencial dhe do të trajtohet me shumë kujdes. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, për të mbrojtur qytetarët e të dy vendeve dhe për të parandaluar hyrjen e drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara,” thuhet në njoftim.