Jared Kushner, biznesmen, investitor dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, ndan vizionin e tij për një projekt të ri ambicioz në fushën e pasurive të paluajtshme, me fokus të veçantë në Shqipëri. Ai flet për qasjen personale që ka ndjekur në zhvillimin e këtij destinacioni veror, duke e dizajnuar si një vend ku vetë ai dhe familja e tij do të dëshironin të kalonin kohën.
-
“E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.”
Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh”, tha Kushner.
Për strategjinë e “Affinity Partners” dhe investimet në Europë, Kushner tregon se si prirja për të zbuluar vende me potencial të nënvlerësuar e ka udhëhequr drejt Shqipërisë. Ai thekson sukseset e hershme të fondit në Europë dhe besimin që ka në rritjen e mëtejshme të kompanive të teknologjisë dhe financës në kontinent.
“Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë, themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin.
Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë”, theksoi ai.
Së fundmi, Kushner u pyet lidhur me ndikimin e politikës në strategjinë e investimeve, nësa ka ndryshuar qëkur Presidenti Trump mori detyrën. Kushner sqaron se strategjia e tij e investimeve ka mbetur e qëndrueshme pavarësisht lidhjeve politike.
Ai vë në dukje shkallën e madhe të investimeve dhe angazhimin personal në nisma ndërkombëtare.
“Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja”, pëfundoi Jared Kushner.