11 maji: Një non grata, matematika e Ramës dhe votuesi

spot_img

Andi Kurti


Ka disa orë që kampi demokrat është ekzaltuar nga një status i një gazetari amerikan në “X” i cili shkruan se “DASH” mund ta lejojë Sali Berishën që të shkojë në SHBA. “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH-it.
Ai në postimin e përgjigjes shton më tej: Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it.
Berisha dhe njerëzit pranë tij janë duke e shitur dhe pompuar këtë gjë si de facto heqjen e non grata-ve nga SHBA-të për Berishën. Në fakt nga DASH nuk ka asnjë reagim apo qëndrim zyrtar për këtë gjë, por jemi vetëm në rastin e burimeve të një gazetari amerikan. Së dyti, sipas asaj që poston gazetari Dash pranon se ai mund të vijë në SHBA, por në asnjë rresht nuk përmendet për heqjen e non gratës.
Nëse Berisha shkon në SHBA apo edhe i hiqet non grata, padyshim kjo është një fitore shumë e madhe e tij në luftën e nisur qysh në vitin 2021, ama kjo gjë do të ketë ndikim shumë pak, ose aspak në zgjedhje, përpos ekzaltimit të militantëve të tij.
Kjo për një faktor të thjeshtë: Edi Ramës. Kryeministri sot doli në Kuç dhe si herën e shkuar, mbi një letër që shtohet për ushqim rreshtoi 12 qarqet dhe projeksionet e PS-së për 11 majin. Sipas tij, 74 mandatet e marra nuk i lëviz as Zoti, teksa tha se 78 mandate janë të sigurta 100%. Synimi i tij maksimal është 88 mandate, numra që mund të ndryshojnë edhe ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kaq mandate do ta shndërronin Ramën në mbret.
Por ndonëse te këto numra mund të ketë një fryrje nga ana e Ramës, një gjë qëndron: PS-ja duket se nuk do të bjerë nën 71 mandate në asnjë skenar. Sipas të gjithave sondazheve të publikuara deri më tani, bashkë me rezervat që kemi mbi to, Rama merr mandatin e katërt teksa opozita nuk i kalon asnjëherë më shumë se 40% të votave.
Sigurisht që Rama nuk i kap këto numra nga mirëqeverisja, sidomos me një qeveri plot skandale dhe gjysmën në burg, por për një fakt shumë të thjeshtë: Kryeministri ka kapur të gjitha pushtetet në vend. Çuarjen e votës me çdo mënyrë në kutinë e votimit për PS-në ai e ka kthyer në një proces të mirëfilltë operacionale, ku mundohet që të lërë shumë pak vend për gabime.
Bashkëpunime me oligarkinë, krimin dhe kontrolli absolut i administratës publike i jep Ramës sigurinë për të bërë llogari të tilla. Ai nuk ia ka lënë në dorë as fatit dhe as frymës popullore, por me makinacione të mirëorganizuara tashmë prej 3 mandatesh, Rama ka krijuar rrugët e nevojshme për të marrë votat që i duhen.
Ndërhyri në sistemin zgjedhor dhe përjashtoi koalicionet parazgjedhore, opozita i bëri dhuratë gjithë pushtetin lokal, i cili është një faktor vendimtar në fushata elektorale dhe rezultate zgjedhore.
Pothuajse në çdo qytet të vendit administrata është e kërcënuar me vendin e punës dhe forma të tjera jo vetëm për të votuar PS-në, por edhe për të siguruar një numër të caktuar votash për partinë në pushtet me familjarë dhe të afërm. Këto ditë në fushatë administrata është marrë me detyrim në takimet e PS-së, teksa u është kërkuar që të sjellin së paku 4 vota për person. Këtu nuk lihet mundësi zgjedhjeje: ose voton PS-në ose e pëson me bukën e gojës! Shto këtu edhe fuqinë e oligarkisë dhe krimit që Rama ka nga pas, dhe siguria mbi 71 mandate vjen vetë.
Prandaj Rama bënë këtë matematikë dhe sillet si “orakull”, e ka nën kontroll dhe shantazh votuesin. Ai i di me saktësi se ku i ka të shantazhuarit dhe sa kërkon prej tyre, i ka me numër të saktë nga patronazhistët dhe njerëzit e tij që kanë ngritur këtë megastrukturë që e ka shartuar partinë me shtetin. Edhe pse më liberale, në thelb ideologjik, ky kontroll mbi shtetin nuk ndryshon shumë nga ai që kishte Enver Hoxha diku, ku votimi ishte procedurë dhe jo vullnet.
Përballë kësaj sigurie matematikore mafioze gjendet Sali Berisha dhe opozita, që jo vetëm nuk ka arritur të krijojë frymë dhe alternativë, por po riciklon të vjetrën, si në narrativë ashtu edhe në përmbajtje, duke na shitur sërish Sali Berishën si alternativë dhe shpresë.
Qytetarët ndodhet mes një Rame që i kërcënon me vendin e punës, bukën e gojës, krimin dhe 1000 forma të tjera, dhe një Berishe arkaik që duket sikur është aty më shumë për t’i dhënë frymëmarrje Ramës me plot skandale, sesa për të qenë një mundësi reale rrotacioni politik.
Berisha e barazon qytetarin dhe votuesin me militantin e tij, duke harruar se të gjithë e mbajmë qeverisjen e tij bashkë me skandalet e shumta. Ai dhe njerëzit e tij u shesin andralla demokratëve dhe shqiptarëve, me mbështetje amerikane, luftë ndaj Sorosit dhe heqje non gratash, edhe pse vetë ai e di se gjëra të tilla nuk ndikojnë tek votuesit.
Votuesi shqiptar ka halle të tjera, larg atyre të Berishës, dhe ditën e votimit ai është tejet pragmatist; sheh hallin e tij, as programet, as SHBA-të dhe aq më pak ideologjitë! Ndërsa qasjen tek elektorati gri duket se opozita e ka akoma shumë larg.
Prandaj për mua, opozita duhet të afrohet tek matematikës së Ramës dhe t’i largohet frymës së çartur me andralla. Nëse Rama u jep një hartë me mandatet që do të fitojë, opozita duhet të bëjë çmos që të punojë në këto qarqe për t’i kaluar këta numra tek vetja. Ndoshta duhet të mësojë ndopak edhe nga pragmatizmi i Ramës për ta mundur deri diku me mënyrat e tij. Nëse nuk arrin që ta bindësh qytetarin që të të votojë dhe të të shohë si shpresë, edhe përballë shqelmit në fyt të Ramës, atëherë çdo retorikë dhe veprim është i kotë!
Përndryshe, ashtu sikurse duket nga gjasat, të këshillohen me LaCivita për justifikimet që do të thuhen pas 11 majit dhe të vazhdojnë të bëjnë opozita, se siç duket ia kanë marrë shumë mirë dorën!

Latest articles

Related articles