Një fëmijë vetëm 9 vjeç shtrohet në spitalin Universitar Nënë Tereza me shqetësime në zemër për shkak të konsumimit të shishës. Ndërsa një tjetër 11 vjeç për shkak të konsumit të pijeve energjike.
Këto raste alarmante referohen nga mjekja kardio-pediatre, Numila Maliqari (Kuneshka), e cila tregon për RTSH sesi adoleshentët e sotëm po përballen me shqetësime në zemër për shkak të jetës plot vese.
“Në konsulta e përditshme të kardio-pediatrisë shohim që na është rritur numri i adoleshentëve që vijnë për konsulta me ankesa që ndjenë në zemër. Ankesat janë të tipit: Më dhemb zemra, kam dhimbje në regjionin e zemrës, më shpon, më ther, kam marrje fryme, kam çrregullim të rrahjeve të zemrës, kam mungesë përqendrimi, pagjumësi etj.
Përveç konsultave kemi edhe shtrime të adoleshentëve në spital. Shtrohen fëmijë 11–12 vjeç, që konsumojnë qoftë edhe një pije energjike. Kemi pasur rastin e një fëmijë 9 vjeç që kishte konsumuar shisha. Pra po shohim një rritje të numrit të fëmijëve që konsumojnë pije energjike shoqëruar edhe me alkool dhe lëndë narkotike“, u shpreh Numlla Maliqari, shefe shërbimi e kardio-pediatrisë, QSUT.
Dr. Maliqari tregon për RTSH se çfarë dëmesh pëson organi i zemrës nga këta faktorë rreziku në mosha shumë të vogla
“Në bazë të studimeve të kryera nga universitetet më prestigjioze në botë, shohim që pijet energjike dhe konsumimi i tyre i përditshëm sjell:
- Rritje të rrahjeve të zemrës, takikardi dhe fëmija ose adoleshenti këtë gjë e percepton. I rreh zemra shpejt, ka ndjesi jo të mira, ka dhimbje;
- Ka rritje të presionit të arterial (presioni sistolik dhe diastolik i gjakut);
- Ka çrregullime të rrahjeve. Pra si frekuencë mund të jetë normale por janë rrahjet të çrregullta. Pra kanë ekstrasistola. Rrahjet janë diku më shpejt e diku më ngadalë;
- Konsumimi i rregullt i pijeve energjike bën që në kohë më afatgjatë të japë probleme të sëmundjeve koronare dhe sidomos e bashkuar kjo me alkoolin, me stresin, pagjumësinë dhe përdorimin e tepruar të ekraneve”, tha Maliqari.
Pra në të gjitha këto studime, është parë që këta adoleshentë bëjnë çrregullime të shumëfishta. Dr. Maliqari tregon se nga bisedat me këta fëmijë ata rezultojnë të jenë pre e trendëve dhe bullizmit në shoqëri.
“Një pjesë e tyre e kanë trend, sepse ky është trendi I moshës së tyre. E dinë nuk bën mirë por e konsumojnë për mos t’u ndier të bullizuar, të përjashtuar apo si të pamundur për ta pasur”, u shpreh mjekja.
Mjekët paralajmërojnë se adoleshentët e sotëm do të jenë të sëmurët kardiakë të së nesërmes. Ata rekomandojnë ekzaminime të e hershme dhe këshillojnë prindërit t’i mbajnë larg fëmijët nga këto vese kërcënuese për jetën.