Shën Juda Tadeu dhe Shqipëria e Kauzave të Humbura

spot_img

nga Ermal Bajrami

Në këtë kohë trazirash, pasigurie dhe zhgënjimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, mendja më shkon shpesh tek një figurë shpirtërore që, ndonëse pak e përmendur, ka një forcë të jashtëzakonshme shprese: Shën Juda Tadeu. I njohur si një nga dymbëdhjetë apostujt e Jezu Krishtit, Shën Juda shpesh është keqkuptuar, ngatërruar me Judën Iskariotin – atë që e tradhtoi Krishtin. Por Juda Tadeu nuk ishte tradhtar. Ai ishte besnik deri në fund, një zë i së vërtetës në kohë të errëta, dhe për këtë arsye, është njohur nga shekuj besimi si shenjti i kauzave të humbura, i atyre që nuk dorëzohen edhe kur gjithçka duket e mbaruar.

Shqipëria sot ngjan më shumë se kurrë me një tokë e cila kërkon mbrojtjen e një shenjti të tillë. Një vend ku shpresa duket se tretet përditë, ku drejtësia është e mjegullt, ku njerëzit largohen, jo vetëm fizikisht nga atdheu, por edhe shpirtërisht nga besimi se ky vend mund të ndryshojë. Por pikërisht në këto çaste, kur gjithçka duket e humbur, zëri i Shën Judës flet më fort. Ai nuk premton mrekulli të lehta, por kërkon këmbëngulje, qëndresë, besim të palëkundur.

Irlandezët e kanë për shenjtorin më të dashur të tyre, sepse ata e kanë ndjerë në shpirtin e tyre historinë e një populli të shtypur, të shpërfillur, të vuajtur — por që nuk është dorëzuar. Po Shqipëria? A nuk është edhe ajo një histori e gjatë e betejave të humbura dhe qëndresës së pashuar? A nuk jemi edhe ne një popull që i kemi mësuar rrënjët tona të qëndrojnë thellë edhe kur furtuna na ka shkulur degët?

Shën Juda Tadeu nuk është një shenjtor i rehatisë. Ai është për ata që zgjedhin të ecin përpara edhe kur rruga është e mbuluar me gjemba. Ai është për ata që nuk ndjekin shumicën kur ajo përkul kokën, por qëndrojnë me shpresë edhe në skajin më të errët të tunelit. Ai është për shqiptarët që ende luftojnë për një Shqipëri më të ndershme, më të drejtë, më njerëzore.

Sot, më shumë se kurrë, ndoshta është koha të kthejmë sytë nga ky shenjtor i harruar dhe të kujtojmë se edhe në mes të shkatërrimit, shpresa është një akt rebelimi. Ai na fton të mos dorëzohemi, të besojmë kur askush tjetër nuk beson, të qëndrojmë në të vërtetën kur ajo përqeshet apo heshtet.

Sepse Shqipëria ka ende bij e bija që nuk janë dorëzuar. Dhe ndoshta, është pikërisht Shën Juda Tadeu që flet sot me zërin e tyre.

Latest articles

Related articles