Prel Dedaj, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik (nr.4) në qarkun Lezhë u shpreh se hapja e dosjeve është e vonuar dhe duhej realizuar kohë më parë.
Ai tregoi për Euronews historinë e familjes së tij që ka vuajtur persekutimin. Babai i tij u burgos disa herë për propagandë, ndërsa e ëma rriti e vetme 6 fëmijë.
I ati i tij, njeri i lexuar dhe që donte të shpërndante dije, u burgos që në vitin 1946 pasi siç tregoi dhe Deda, regjimi nuk i donte njerëzit si ai. Më pas u burgos përsëri në vitin 1957.
“Në vitin 1956 ai ishte i fejuar, daja im i ndjerë bashkë me familjen u arratis në Jugosllavi nga frika e regjimit pasi pjesa më e madhe e fisit ishin burgosur, internuar nëpër burgje. AI u arratis bashkë me 6 fëmijët pasi e shoqja i kishte vdekur, edhe me nënën time që ishte e fejuar e mori me vete. Im atë edhe nga karakteri, edhe nga ndjenja, kalon kufirin dhe shkon në Jugosllavi dhe atje bashkë me nënën martohet, vënë kurorë në bazë të zakonit në kishë dhe edhe pse i kishin dalë letrat për Belgjikë ai u kthye në Shqipëri,” – rrëfeu Deda.
Kandidati Prel Dedaj tha se i ati e realizoi historinë e tij të dashurisë, pavarësisht se e dinte që e prisnin hekurat ashtu siç ndodhi.
“Nuk jam interesuar për dosjen sepse shpesh herë s’kam dashur as ta di sepse as im atë, as nëna ime kurrë nuk më thanë që të urrej. Ndonjëherë mendoj se është më mirë edhe me i dit, me i dit kush është miku dhe kush armiku,” – u shpreh Deda.