Miliarderi amerikan Jeff Bezos dhe presidenti Donald Trump patën një afrimitet gjatë dhe pas fushatës presidenciale në SHBA, por duket se tashmë marrëdhënia mes tyre ka pësuar një goditje.
Përplasja nisi kur “Amazon”, gjiganti i blerjeve në internet, njoftoi se do të vendosë krahas çmimit të çdo produkti, edhe çmimin e tarifave.
Kjo do të thotë se blerësit do të kenë mundësi të shohin dhe kuptojnë se për se është rritur çmimi i një produkti dhe sa prej vlerës së shtuar është për shkak të tarifave që Trump ka vendosur ndaj vendeve të botës e veçanërisht Kinës.
Sekretarja e Shtypit e SHBA-së, Karoline Leavitt shkoi aq larg sa në përgjigje ndaj një reporteri, ta quajë veprimin e Amazon si “akt armiqësor dhe politik”.
Ajo mbajti në duar një artikull lajmesh me një fotografi të madhe të pronarit të Amazon, Jeff Bezos, dhe pretendoi se kjo tregon se Amazon është në partneritet me “krahun e propagandës kineze”.
Scott Bessent, sekretari i Thesarit i administratës Trump i cili ishte gjithashtu i pranishëm në konferencën për shtyp, sugjeroi se kaosi i tregut financiar i shkaktuar nga tarifat e disa javëve më parë ishte i qëllimshëm. Sipas tij, Trump krijoi qëllimisht “pasiguri strategjike” për të arritur “marrëveshjet më të mira të mundshme tregtare”.