Tiranë, 28 Prill 2025 – Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, Taulanda Jupi, deklaroi sot se qytetarët shqiptarë përballen me një zgjedhje historike: të mbështesin drejtësinë dhe shtetin e së drejtës ose të lejojnë që pandëshkueshmëria e politikanëve të vjetër të vazhdojë.
“Në 11 maj, shqiptarët nuk zgjedhin thjesht një parti apo një deputet. Ata vendosin se cilën Shqipëri duan të ndërtojnë: Shqipërinë e hajdutëve që kërkojnë strehë në Parlament, apo Shqipërinë e qytetarëve të ndershëm që kërkojnë drejtësi të vërtetë,” tha Jupi në deklaratën e saj.
Ajo theksoi se, përballë qëndrojnë dy Shqipëri: në njërën anë, qytetarët e ndershëm dhe institucionet e reja të drejtësisë, të udhëhequra nga prokurorë dhe gjyqtarë si Altin Dumani, Olsi Dado, Erjon Bani dhe Engert Pëllumbi, dhe në anën tjetër, politikanët e vjetër të korruptuar si Edi Rama dhe Sali Berisha, që kërkojnë t’i shpëtojnë përgjegjësisë ligjore.
Jupi vlerësoi punën e SPAK dhe GJKKO-së si shembull të një drejtësie që po rilind dhe që nuk trembet përballë pushtetit. Sipas saj, sulmet ndaj këtyre institucioneve janë dëshmi e frikës së atyre që kanë abuzuar për dekada me pasuritë dhe të ardhmen e vendit.
“Më 11 maj, çdo votë është një betejë mes të vjetrës dhe të ardhmes. Është një betejë mes atyre që duan të mbyllin gojën drejtësisë dhe atyre që duan të hapin dyert e lirisë. Është një betejë mes atyre që shohin Parlamentin si një bunker mbrojtës dhe atyre që duan ta shohin Parlamentin si shërbëtor të popullit,” deklaroi Jupi.
Në fund, ajo i bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin guximin, drejtësinë dhe qytetarinë aktive, duke kthyer Parlamentin në një institucion të shpresës dhe të dinjitetit kombëtar.