Rikthehet për të shërbyer pa interes si zëri i njerëzve në nevojë…
Në skenën politike shqiptare, ku shpesh mbizotëron zhurma dhe mungesa e besimit, shfaqet një emër që vjen ndryshe:
Prel Deda.
Ai nuk kërkon pushtet për përfitim personal, por për t’i shërbyer njerëzve. Ai nuk kërkon karrige për privilegje, por për të qenë një urë mes qytetarëve të zakonshëm dhe institucioneve që shpesh kanë harruar misionin e tyre.
Prel Deda është sot kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës, nën siglën e Koalicionit Euroatlantik:
Një koalicion që mbështet integrimin, vlerat perëndimore, shtetin e së drejtës dhe lirinë e individit.
Historia e Prelës nuk është e zakonshme. Ai është bir i një familjeje të përndjekur nga regjimi komunist – babai i tij vuajti burgjet politike, ndërsa dajat e tij u arratisën drejt Amerikës për t’u shpëtuar ndjekjeve politike. Me origjinë nga Berisha e Pukës, në vitin 1985 ai u vendos në Kurbin, ku gjeti jo vetëm strehë, por edhe respektin dhe përkrahjen e një komuniteti me vlera të thella shqiptare. “Me Kurbinasit jam ndjerë i respektuar e i nderuar. Kam gjetur burrëri e urtësi si askund tjetër në vend. Janë trima e të besës,” – thotë ai me krenari, duke nderuar një popull që ia hapi dyert në një kohë të vështirë.
Pas vitit 1992, Prela u përfshi në strukturat e Policisë së Shtetit në Kurbin dhe Pukë, ku shërbeu me dinjitet nga pozita e shefit të kuadrit deri te ajo e shefit të policisë. Gjatë kësaj periudhe ai u dallua për ndershmëri, korrektësi dhe afërsi me qytetarët. Më vonë, ai mori drejtimin e Partisë Demokratike në Pukë, ku vazhdoi të luftojë për vlerat që i beson: drejtësinë, barazinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Në vitin 2004, ashtu si shumë shqiptarë të ndershëm që kërkonin një jetë më të mirë, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, së bashku me familjen, ngriti një jetë nga e para, duke themeluar një biznes të qëndrueshëm e të ndershëm. Sot, Prela dhe familja e tij janë një shembull i suksesshëm i komunitetit shqiptar në diasporë – krijues të vendeve të punës, kontribues në ekonomi dhe model të integrimit pa humbur identitetin.
Por edhe në Amerikë, zemra e Prelës ka rrahur gjithmonë për Shqipërinë. Ai nuk e ka harruar asnjëherë vendin e tij, e aq më pak njerëzit e thjeshtë që vuajnë në një sistem që shpesh u ka kthyer shpinën. Dhe sot, ai rikthehet në atdhe jo për të marrë, por për të dhënë.
Ai nuk e sheh politikën si një mjet pasurimi, por si një mision shërbimi.
Prela e ka bërë të qartë:
nëse zgjidhet deputet, nuk do të marrë asnjë qindarkë nga rroga e tij si deputet, por do ta dhurojë atë për njerëzit në nevojë.
Kjo është më shumë se një premtim – është një akt simbolik që përmbys logjikën e deritanishme të politikës për përfitim.
Ai e sheh pozitën e deputetit si një detyrë ndaj atyre që nuk kanë zë, ndaj të varfërve, të papunëve, familjeve në vështirësi, të moshuarve të harruar dhe të rinjve që kërkojnë një shpresë për të nesërmen.
“ Këta njerëz kanë nevojë për njerëz, jo për politikanë.
Unë nuk dua të jem politikan. Këta njerëz duan zgjidhje, dhe unë do t’ua jap zgjidhjet, kurdoqoftë,” – thotë Prela me vendosmëri, duke shprehur një filozofi të thjeshtë, por të thellë:
Shërbim pa interes.
Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm një kthim të denjë të një biri të kësaj toke, por edhe një ftesë për ndryshim të mënyrës si bëhet politika në Shqipëri. Ai nuk është produkt i makinacioneve partiake, nuk është i lidhur me oligarkë, nuk ka interesa të fshehta, dhe nuk vjen për të bërë pazare. Ai është një burrë i thjeshtë, me një jetë të ndërtuar mbi punë, sakrificë, nder dhe besë. Koalicioni Euroatlantik , që përfaqëson vlerat e demokracisë perëndimore, e ka përfshirë Prelën në radhët e veta jo rastësisht. Ai mishëron pikërisht ato parime që koalicioni mbron: lirinë individuale, të drejtën për një jetë dinjitoze, luftën kundër korrupsionit, respektin për shtetin ligjor dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Në një kohë kur shumë e shohin politikën si mjet përfitimi, Prel Deda na kujton se politika duhet të jetë mision. Në një kohë kur shumë vijnë për të marrë, ai vjen për të dhënë. Në një kohë kur populli ka humbur besimin, ai rikthen shpresën. Ai është modeli i njeriut që ka jetuar dhimbjen, ka njohur suksesin, dhe sot kërkon të japë kontributin e vet me zemër të hapur dhe pa interes.
Lezha, në këto zgjedhje, ka mundësinë të zgjedhë një zë të pastër, një njeri që përfaqëson vlerat më të mira të kësaj toke. Me votën për Prel Dedën, qytetarët nuk zgjedhin një politikan – zgjedhin një njeri të vërtetë, një mik, një mbështetës të tyre, një zë të guximshëm që do të ngrejë hallet dhe shpresat e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, zgjedhin të besojnë sërish në të ardhmen.
Pergatiti: Koja Leonard: