Arben Malaj, ish-ministër i Financave, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, komentoi kritikat e tij ndaj zotit Taulant Balla sa i takon premtimeve elektorale.
“Me zotin Taulant Balla problemin e kam në profilin publik. Nuk duhet që Partia Socialiste të nxjerrë si promovues të ideve të saj një njeri që ka probleme të mprehta të mungesës së integritetit dhe probleme me ligjin. Nuk është mirë që Partia Socialiste është partia që bëri lidhjen më të hapur, më të drejtpërdrejtë dhe më të dëmshme për shqiptarët, kur u lidh me të fortët në biznes, që u kthyen në të fortë edhe në politikë”, deklaroi Arben Malaj.
“Partia Socialiste ka nevojë për përgjegjësi publike për të mos e cenuar demokracinë, për të rritur barazinë e mundësive dhe për të krijuar një garë të ndershme. Pushteti që ka grumbulluar në dorë shoku Rama, për të gjithë kohën që ka qenë kryetar i Partisë Socialiste, është i frikshëm dhe ne shikojmë që demokracia ka bërë hapa pas”, shtoi Malaj.