Dhimbjet e qafës dhe të shpinës| Neorokirurgu liston shkaqet dhe ndikimet

spot_img

Shumica e njerëzve përjetojnë një episod të dhimbjes së shpinës dhe të qafës gjatë jetës së tyre, dhe kjo mund të ndikojë në paaftësinë e një personi për të marrë pjesë në aktivitetet e jetës së përditshme, aktivitetet fizike dhe punën.

Neurokirurgu nga SHBA, Gentian Toshkezi, në një intervistë për programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, pohon se 1 në 3 persona shfaqin këto dhimbje çdo vit

Ai rendit shkaqet dhe ndikimet e këtyre dhimbjeve, të cilat mund të nisin nga postura e keqe dhe të arrijnë deri te predispozita trashëgimore.

Dhimbjet e shpinës janë shumë të shpeshta dhe janë një problem që prek shumë individë.

Statistikat tregojnë se 1 në 3 persona çdo vit përjetojnë dhimbje të qafës ose të shpinës. Një nga faktorët kryesorë është përdorimi i telefonit me kokën ulur, një pozicion që e bën shtyllën kurrizore të preket.

Po ashtu, qëndrimi i zgjatur në një pozicion të ulur para kompjuterit në ambientet e punës ndikon negativisht në shëndetin e shpinës.

Megjithatë, mjeku shpjegon se faktori numër 1 për dhimbjet dhe problemet degjenerative të shtyllës kurrizore është edhe faktori familjar gjenetik.

Faktori trashëgues është më i theksuar tek individët që kanë histori familjare të problemeve të shtyllës kurrizore dhe është një nga rreziqet kryesore për zhvillimin e këtyre problemeve, pa marrë parasysh moshën.

Ky predispozicion familjar është veçanërisht i lidhur me problemet degjenerative të shtyllës kurrizore, por gjithashtu faktorë të tjerë si mënyra e jetesës, postura e gabuar, dhe shtimi në peshë mund të kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes.

Sa më herët të shfaqen këto faktorë risku, aq më shpejt do të paraqiten problemet e shtyllës kurrizore.

Një problem tjetër i rëndësishëm është shtrëmbërimi i shtyllës kurrizore, ose skolioza, që është gjithnjë e më e pranishme te individët e rinj.

Neurokirurgu Toshkezi rekomandon që, me shfaqjen e shenjave të para të dhimbjes, të konsultoheni me mjekun dhe të bëni ushtrime të lehta që nuk dëmtojnë shtyllën kurrizore.

Dhimbjet e shpinës janë shumë komplekse dhe jo gjithmonë lidhen me problemet e nervave apo dëmtimin e palcës kurrizore. Shpesh ato janë të lidhura me tërheqje muskulore, të cilat mund të ndodhin për shkak të posturës së gabuar ose për shkak të aktiviteteve fizike që kërkojnë mundim.

Eksaminimi i parë është shumë i rëndësishëm për të dalluar shkallën e dhimbjes dhe për të përcaktuar trajtimin e duhur.

Si trajtim i parë, rekomandohet qetësimi i zonës së dëmtuar, masazhe të lehta pa kaluar në masazhe të thella që mund të dëmtojnë disqet e shpinës, si dhe marrja e medikamenteve antiinflamatore për të lehtësuar dhimbjen. Po ashtu, rregullimi i posturës është shumë i rëndësishëm.

Jastëkët dhe dyshekët që përdoren për të fjetur duhet të jenë sa më të përshtatshëm për të mbështetur shtyllën kurrizore në mënyrë të drejtë.

Skolioza është një problem që ka marrë përmasa shqetësuese, veçanërisht te të rinjtë. Ushtrimet që rekomandohen për të përmirësuar gjendjen e shtyllës kurrizore dhe për të luftuar deformimet janë noti dhe zgjatjet (stretching)

Latest articles

Related articles