nga Igli Celmeta
Në Policinë e Shtetit ka shumë oficerë policie të ndershëm, të cilët e bëjnë punën me profesionalizëm, ndershmëri dhe për të mirën e vendit. Ndër ta janë edhe oficerët që arrestuan disa ditë më parë ish kolegun e tyre, Altin Morinën, i cili prej 11 muajsh ishte në kërkim nga SPAK për bashkëpunim me grupet kriminale në kultivimin e kanabisit në Nikël dhe Tapizë gjatë kohës që ishte polic.
Këta oficerë policie që arrestojnë ish kolegët e tyre policë të inkriminuar, kanë mbështetjen e gjithë popullit sepse këta efektivë i duhen vendit, të zbatojnë ligjin pa u ndikuar se kush është personi që arrestojnë.
Si qytetar dhe gazetar i kronikës së zezë ndjehem mirë që ende në vendin tim ka oficerë policie të ndershëm, por ndjehem totalisht i zhgënjyer dhe i shokuar që në kupolën e Policisë së Shtetit vijon ende fryma diskriminuese, demotivuese dhe që i bëjnë terror oficerëve të ndershëm të policisë se arrestuan një person që shumë drejtues nuk donin që të arrestohej. Disa prej këtyre oficerëve të ndershëm janë lëvizur nga vendet e punë për t’u transferuar në vende të tjera sepse bënë “gabim” duke bërë detyrën. E tmerrshme çfarë ndodh në vendin tonë.
Kjo situatë është alarmante dhe shpresoj që të mos jetë e vërtetë pasi është ulëritëse. Kupola e Policisë së Shtetit nuk mund të sillet si bandë ndaj oficerëve të ndershëm të policisë, por duhet t’i mbështesë.