Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për turistët irlandezë Kevin Stack, 42 vjeç, dhe partneren e tij Kate Connolly, të cilët u ndaluan nga policia më 28 mars. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim.
Sipas vendimit gjyqësor të dhënë nga gjyqtarja Suela Xhani, sKevin Stack do të qëndrojë në masën “arrest në burg”. Ndërsa për Kate Connolly është caktuar një masë alternative, ku do të mbahet në paraburgim deri në depozitimin e një garancie pasurore prej 5000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda pesë ditëve. Pas këtij afati, nëse shuma paguhet, Connolly do të lirohet, por do të detyrohet të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore një herë në dy muaj.
Mbrëmjen e së enjtes, çifti irlandez dorëzoi në policinë e Shkodrës një shumë prej 41 400 eurosh. Ata deklaruan se e kishin gjetur më 26 mars, rreth orës 15:30, pranë një supermarketi në lagjen nr. 13, Plazh Durrës.
Pas hetimeve dhe kamerave të sigurisë u zbulua se ata i kanë vjedhur shumën e parave dy të rinjve në plazh, të cilët e gjetën pasi u ra pronarit të tyre.
Pasi e panë skenën e rënies së parave dhe marrjes nga të rinjtë që i gjetën rastësisht ata vendosën të përfitojnë padrejtësisht, duke deklaruar se shuma u përkiste atyre. Në këmbim Stack u dha 500 euro shpërblim dy të rinjve.