Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjendet në arrest me burg me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, ka parapaguar 300 mijë dollarë një studio ligjore amerikane për shërbime ligjore.
Kontrata me studion “Kasowitz Benson Torres’ e firmosur nga kryebashkiaku dhe vëllai i tij Arbër Veliaj është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe parashikon shërbime ligjore në formë këshillash ligjore, mediatike dhe strategjike për procesin gjyqësor.
Avokatët e studios që do të asistojnë Veliajn në këtë proces kanë një pagesë për orë pune që varion nga 500 USD deri në 1950 USD.
Sipas kontratës kjo studio do të marrë përsipër përveç konsulencës ligjore dhe lobim pranë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe degë të tjera të qeverisë amerikane dhe shërbime të marrëdhënieve me publikun në lidhje me qeverinë shqiptare dhe legjislacionin shqiptar.
Një përfaqësues i studios ligjore të kontraktuar nga Veliaj erdhi në Tiranë në fillim të marsit gjatë seancës së Apelit për masën e sigurisë, por ai nuk u lejua të merrte pjesë në seancë për shkak të ndalimeve ligjore që parashikon legjislacioni shqiptar.