Ja zonat më pak të banueshme në Tiranë, niveli i ndotjes së ajrit dhe zhurmat janë të frikshme

spot_img

Zona të ndryshme të kryeqytetit vazhdojnë të përballen me ndotje të ajrit dhe zhurmë që tejkalojnë normat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Ndotja vjen kryesisht nga ndërtimi dhe trafiku i makinave dhe luhatet në varësi të kushteve meterologjike dhe po kështu stinëve.

Sipas një raporti të Institutit për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”, i realizuar në 13 pika monitorimi në kryeqytet, cilësia e ajrit ndryshon në periudha të ndryshme, me prirje përkeqësuese. Monitorimi është kryer gjatë periudhës gusht-dhjetor 2024, duke përfshirë sezonin e verës, vjeshtës dhe fillimin e dimrit.Gjatë monitorimeve në unazën e vogël të Tiranës, disa stacione kanë regjistruar tejkalime të ndotjes së ajrit nga standardi i përcaktuar prej 350 pjesë për milionë (ppm).

Në muajin gusht, niveli më i lartë i ndotjes është vënë re në zonën e bulevardit dhe pranë shkollës “Mihal Grameno”.

Në raundin e dytë të monitorimeve, është vënë re rritje e ndjeshme e ndotjes krahasuar me gushtin.

“Rritja më e theksuar u vu re në zonën e ‘Pazarit të Ri’ me një vlerë prej 610 ppm dhe ‘Zogut të Zi’ me 546 ppm”, thuhet në raport.

Në stacionet e Piramidës dhe stadiumit “Selman Stërmasi”, niveli i ndotjes mbeti palëvizur dhe nën standardin e vendosur. Ky ndryshim në rezultatet e matjeve është i lidhur me kushtet meteorologjike që kanë ndikuar në shpërndarjen e ndotësve, si dhe aktivitetet urbane të intensifikuara, përfshirë shtimin e automjeteve dhe rritjen e lëvizjes së popullsisë.

Në matjet e treta dhe të katërta, ndotja e ajrit shpërndahet në vende të tjera të qytetit. Zona si Pazari i Ri dhe kryqëzimi i 21 Dhjetorit janë nën standardin e lejuar, duke pasur kushte më të mira të ajrit, ndërsa zona si Medreseja dhe Zogu i Zi kanë regjistruar nivele të ndotjes që kalojnë standardin.Ndërsa për grimcat PM₁₀ ka pasur tejkalime të rregullta në 10–11 stacione, “me ndotje më të lartë në “Zogu i Zi” dhe “Kryqëzimi i 21 Dhjetorit,” zona të njohura për fluksin e madh të trafikut dhe ndërtimet intensive”.

Sa i përket matjes së dioksidit të azotit (NO2) në ajër, vihet re se mesatarisht 10-12 stacione cdo ditë kanë regjistruar nivele mbi standardin.

“Të dhënat tregojnë se ndotja ka qenë veçanërisht e lartë në zona me trafik të dendur dhe aktivitete urbane intensive, duke përfshirë “Kryqëzimin e 21 Dhjetorit” “Pazarin e Ri,” dhe “Zogun e Zi,” të cilat vazhdojnë të regjistrojnë përqendrimet më të larta të ndotjes”, thuhet në raport.

Nivelet më alarmante janë matur në kryqëzimin e 21 Dhjetorit, i cili renditet si zona më e ndotur.

Ndotja akustike

Për ndotjen akustike, raporti tregon se zonat më të zhurmshme janë Pazari i Ri, kryqëzimi i 21 Dhjetorit, rruga e Kavajës dhe sheshi Italia. Në të kundërt, Zogu i Zi ka regjistruar vazhdimisht nivelet më të ulëta të zhurmës (rreth 56-58 dB), duke u shfaqur si një zonë më e qetë dhe e përshtatshme për banim.

Shkaktarët kryesorë të ndotjes akustike janë trafiku i rënduar dhe pranisë e aktiviteteve tregtare dhe shërbimeve në këto zona.

Latest articles

Related articles