Trump kërkon mbylljen e Zërit të Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë – Çfarë po ndodh

spot_img

Një lajm jashtëzakonisht i keq: mediave të besueshme dhe profesionale si Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë u kërcënohet mbyllja pas dekretit nga presidenti Donald Trump.

Siç shkruan gazeta The Wall Street Journal presidenti Donald Trump urdhëroi shpërbërjen e shtatë zyrave qeveritare, duke përfshirë edhe institucionin që qëndron pas Voice of America (Zërit të Amerikës) dhe një tjetër institucion që fokusohej në zgjidhjen e çështjes së të pastrehëve, si pjesë e misionit të tij të vazhdueshëm për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale. “Zëri i Amerikës” dhe “Radio Europa e Lirë” janë prej dekadash dy burime shumë të besueshme dhe të rëndësishme informimi për botën shqiptare. Roli i “Zëri të Amerikës” në rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri është historik – po aq sa edhe raportimet mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë nga pushteti jugosllav dhe serb. Mbyllja eventuale e këtyre institucioneve do të ishte një humbje e madhe për çdo lexues e dëgjues në botën shqiptare.

Urdhëri u bë publik të premten dhe kërkon që zyrat të “eliminohen deri në masën maksimale të përputhshme me ligjin në fuqi”. Mbetet të shihet nëse kjo është e mundur pasi shumicën e zyrave të vogla i ka krijuar Kongresi përmes ligjit.

Një nga zyrat që urdhri ekzekutiv synon të eliminojë është Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, e cila është institucioni pas Voice of America dhe Radio Free Europe/Radio Liberty. Këto organizata u krijuan për të theksuar vlerat demokratike duke ofruar lajme në vende ku shtypi i lirë është i kërcënuar, përfshirë Afganistanin, Iranin, Pakistanin, Rusinë dhe Ukrainën. Organizatat punësojnë mijëra gazetarë, shkruan “Wall Street Journal”.

Në tekst njoftohet se Trump zgjodhi Kari Lake si këshilltaren e tij kryesore për agjencinë. Lake është një ish-gazetare nga Arizona, e cila kandidoi pa sukses për guvernatore dhe për Senat, duke adoptuar stilin e Trumpit dhe duke kritikuar vazhdimisht median që mbulonte garën e saj. Lake të shtunën postoi një link të urdhrit në rrjetet sociale, duke shkruar në X: “Nëse jeni punonjës i agjencisë, ju lutemi kontrolloni menjëherë emailin tuaj për më shumë informacion.”

Punonjësit e VOA-së të shtunën morën një email ku thuhej se ata janë në pushim administrativ me pagesë deri në një njoftim të dytë. Lake të shtunën i dërgoi një letër shefit të financave të Radio Free Europe/Radio Free Liberty, Joseph Lataille, ku njoftohej për ndërprerjen e financimit nga grantet federale.

Latest articles

Related articles