Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi se Administrata e Donald Trump, mund të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, Shefi i NATO-s potencoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës në këtë pjesë të botës.
“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, ka thënë ai para gazetarëve.
Rutte, ndër të tjera, garantoi se SHBA-të janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.
Rutte, gjatë qëndrimit në Kosovë, të martën, ka vizituar edhe selinë e KFOR-it në Kosovë, ku ka takuar ushtarakët që shërbejnë në këtë mision paqeruajtës.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Rutte, ka potencuar se prania e NATO-s është një dëshmi konkrete “e përkushtimit tonë të palëkundur për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”.
Rutte, gjatë kësaj jave vizitoi Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën – dy shtete fragjile nga aspekti i sigurisë në Ballkanin Perëndimor – në kuadër të turneut të tij të parë në rajon.
Shefi i Aleancës Veri – Atlantike, të martën, gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin e kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurtin. Me të parën mbajti edhe një konferencë për media ku shpalosi mesazhet e Aleancës për vendin.
Ai rëpërsëriti mbështetjen e aleancës për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se zgjidhja për një paqe të qëndrueshme është kryekëput politike.
“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjithë – duke zgjedhur diplomacinë para dhunës. Zgjidhja për paqe të qëndrueshme është politike. Për ta çuar këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të fokusohen në përfitimet afatgjata. E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira”, pohoi ai.