‘Përtej dritares ishte nata’ – Nasi Lera zë qendror në skenën kulturore! – nga Virion Graçi

spot_img

Virion GRAÇI

Dy letrarë të rij, Leonard D. dhe personazhi-narrator; narratori bëhet shkas që tregimi i Leonard D. të botohet te Drita duke ja çuar ai tregimin, në të kundërt, Leonard D., si çdo i talentuar do të ndikohej për keq nga një refuzim i mundshëm i redaksisë. Leonard D. pushton vendin me famën letrare dhe është në vigjilje të botimit në anglisht, pra, po ndërkombëtarizohet, ndërsa narratori, zbuluesi i tij a shkesi i tij, pasi nuk e gjen veten të suksesshëm në letërsi, përfundon mësues fshatrave të largët, e mbush boshësinë jetësore me alkool, lidhet në martesë me një kolege të çalë, diçka midis keqardhjes e mëshirës për njëri-tjetrin, lindin e rrisin një vajzë, por datën më të shënuar të jetës ka 29 janarin, ditën kur çoi në Drita tregimin e shokut të tij. Jo pa arsye, ka bindjen se i ka dhënë vendit një shkrimtar të madh, të talentuar dhe kjo përshtypje e gëzon, e ngushëllon, e përligj në sytë e të afërmve, miqve, shokëve, familjarëve.
Dikur sëmuret, zë shtratin për ca ditë dhe gruaja e tij thërret në telefon Leonard D., më saktë, thërret atë që është më pranë telefonit të shkrimtarit të njohur, pasi vetë shkrimtari (supozohet se) është duke punuar. Nuk marrin përgjigje, nuk marrin shenja njohjeje nga ana tjetër e telefonit.
Leondard D. i shkon për vizitë në shtëpi më vonë, jo kur personazhi-narrator kishte pasur nevojë për Leondard D., por një rast tjetër, kur vetë Leondard D. nuk ndihej mirë, kishte nevojë të rrëfehej te ish shoku i tij, te rrëfimtari i tregimit.
…Filli lidhës midis dy burrave me fillesë të përbashkët, por me jetë e trajektore diametralisht të ndryshme, bëhet i dukshëm, por jo ai që kemi paramenduar ne si lexues dhe personazhi rrëfimtar. Në thelb të suksesit letrar të Leonard D. ka qenë buzëqeshja që ka marrë prej kryeministrit gjatë diktaturës. Ajo buzëqeshje e ka frymëzuar, inkurajuar, motivuar e detyruar të shkruajë pa pushim. Në kohën e rrëfimit, kryeministri kish 14 vjet që kishte vdekur, por Leonard D. vazhdonte ta mbante (fjalë të tekstit) atë buzëqeshje kryeministri si një të vdekur ku nuk kishte ku ta varroste. Për më keq, vazhdon rrëfimin e mbramë ai, në korridoret e Lidhjes së Shkrimtarëve kish parë një ditë prej ditësh djalin e kryeministrit, i vrejtur djali, jo me buzëqeshjen e babait, po priste radhën para derës së vc-së të urinonte – kjo ishte lidhja e tij me godinën e lidhjes së shkrimtarëve. Leonard D. i lëshon radhë dhe aq i emocionuar është sa, kur i vjen radha të hyjë, harron ta tërheqë derën duke shkaktuar të qeshura te punonjëset e zyrës përballë të cilat ja kanë daktilografuar dy nga romanet. Ky është pak a shumë shkrimtari i mirënjohur Leonard D. ndërsa antipodi i tij, personazhi-rrëfimtar, me varësi vetëm nga alkooli e jo nga lavdia letrare, është burrë i qetësuar në gjirin e familjes, kultivon lule e pemë në kopështin e tij dhe, në vjelje të frutave, lë pjesë edhe për të ngrënë zogjtë, degëve.

Ritreguam më lart “Shiu i një mbasdite me diell”, (1994) nga Nasi Lera. Mëkat e vrazhdësi të pyesim për kë bëhet fjalë, për ‘persona e ngjarje të njimendta’ pasi N. Lera, si çdo shkrimtar i madh, njohës i përsosur i psikologjisë njerëzore dhe mjeshtër i pikturimit të çdo peizazhi natyror a ndërnjerëzor, nuk sjell në letërsi aludime, insituata, por zbulime të mprehta, ligjësi të pa shkruara të jetës shoqërore, imtësi dokumentuese me forcë përgjithësuese universale. Fabula e këtij tregimi, sakrifikuar nga unë për të ilustruar aftësinë sublimuese të N. Lerës rrëfimtar, mund të ishte fare bukur skeleti epik i një romani të zakonshëm; në fakt, është tregim jo më gjatë se 10 faqe. Normale, vlera e një vepre nuk matet me numërin e episodeve apo të personazheve veprues, as me projeksione sociale heronjsh të një rëndësie të veçantë, por me horizontin që të ofron për të parë, për të ndjerë e për të kuptuar më mirë, më qartë dukuri e marrdhënie në dukje të thjeshta, të zakonshme, por me brendësi komplekse, misterioze; domethënëse në thjeshtësinë e tyre si një paqe që paraprin a përmbyll stuhinë.
Pa i shtruar vetes dilema kundërthënëse për letërsinë, suksesin letrar, popullaritetin, pushtetin, shkrimtarin, shoqërinë, autori, duke dekodifikuar zërin e tij të brendshëm lirik, “përgjigjet” me njërën nga ndodhitë me shkrimtarë ku nuk ka histori të mëdha, arsyetime, reflektime mbi njerëz e ngjarje; në stilin e të mëdhenjve, N. Lera sjell njerëz të gjallë, njerëzit krijojnë ngjarje në bashkëveprim dhe pjesa tjetër si komentimet, përsiatjet, filozofizmat i takojnë lexuesit, krahas kënaqësisë së leximit.
Mjeshtër i minimalizmit e njëherësh binjakëzues i natyrës, i dinamikave meteorologjike me gjendjen shpirtërore të heronjve të tij, Nasi Lera, për më shumë se gjysmë shekulli, zë vend qendror në skenën kulturore shqipe: tregimtar, romancier, skenarist filmash artistikë, përkthyes. Krahas krijimtarisë voluminoze, me dhjetëra tituj në gjinitë që ka lëvruar, ka bërë po aq ashtu dhjetëra-qindra redaktime librash, shënime pagëzimi për autorë të rinj, përshtypje shenjtëruese, në kufijtë e prozës poetike për autorë të mëdhej, të mirënjohur, dikur, në vitet ’90, në periodikët kulturorë të kohës.
Personaliteti letrar i N. Lerës ngjan i ngritur mbi dy kolona antike mermeri: edukimi i lartë estetik për të bukurën në art dhe (II) nderi, burrëria, e drejta e pa kompromis si kusht themelor. Për të dytën, mjafton të kujtojmë si etalon vlerësues humbjen e pashërueshme shpirtërore të një kampioni boksi që me hile kishte mposhtur rivalin e tij. Në art e në jetë, N. Lera e ka kultin e mënyrës, si-ja për të është e rëndësishme sa dhe produkti përfundimtar.
Të lexosh Nasin është si të ndjekësh i vetëm një seancë spiritualizmi në natyrë ose me të ngjashmit e tu, në një tempull. Proza e N. Lerës të merr pranë vetes, të mundëson ta shohësh botën nga e njëtja kutizë dritareje me të, proza e tij lexohet duke zgjedhur të mos marrësh frymë sepse bryma jote mund të ta mjegullojë sadopak xhamin e hollë që të ndan nga pamjet përjashta dhe humbet nuancat, hollësitë, përgjigjet e përjetshme të pyetjeve të tua- humbet magjinë, simbolikat, alfabetin.

Latest articles

Related articles