nga Enver Robelli
Fitues i zgjedhjeve në Gjermani është Friedrich Merz nga aleanca konservatore CDU dhe CSU. Por fitorja e Merzit është larg nën pritjet e tij. Sipas prognozave të mediave publike gjermane CDU dhe CSU kanë fituar mes 28 dhe 29 për qind të votave. Për të qeverisur, Merzit i duhet një ose ndoshta dy parti të vogla si partnere koalicioni.
Merz do të mund të qeveriste edhe me partinë e dytë, me Alternativën për Gjermaninë (AfD), e cila është parti e ekstremit të djathtë dhe pjesërisht është kualifikuar si e rrezikshme për rendin kushtetues. AfD, e cila ka dyfishuar përkrahjen dhe tani mban rreth 20 për qind të votave, ka simpati për Rusinë e diktatorit Vlladimir Putin, kërkon kthimin e markës gjermane, largimin e Gjermanisë nga BE dhe NATO, dëbimin masiv të refugjatëve të cilët nuk kanë fituar azil politik në Gjermani. AfD ka përfituar sidomos për shkak të retorikës së ashpër kundër të huajve. Sulmet e shpeshta me thika e armë të tjera nga refugjatët sirianë, afganë e të tjerë kanë ndikuar në rritjen e përkrahjes për AfD-në. Shumë gjermanë janë të zhgënjyer ngaqë partitë e etabluara dhe qeveria e deritanishme nuk kanë gjetur një përgjigje efikase ndaj problemeve të shkaktuara nga emigrantët. AfD mban lidhje të ngushta me regjimin aktual në Beograd.
Merz ka përjashtuar çdo bashkëpunim me Alternativën për Gjermaninë. Atëherë çfarë mbetet? Një koalicion me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, të cilët kanë pësuar humbje historike (morën vetëm rreth 16 për qind të votave). Nëse mandatet nuk mjaftojnë, atëherë si partner i tretë koalicioni mund të jetë të gjelbrit.
Merz është politikan impulsiv. Gjatë 16 viteve në pushtet, Angela Merkel e ka mbajtur Merzin larg çdo funksioni, andaj ai, i frustruar, më 2009 u tërhoq nga politika aktive. Në vitin 2016, ai u bë kryetar i këshillit mbikëqyrës të BlackRock Asset Management Deutschland, dega gjermane e menaxhuesit më të madh të pasurive në botë, BlackRock.
Në kushte normale Merz nuk do të kishte shans të bëhej kancelar. Por grindjet e përhershme dhe dështimet e qeverisë së deritanishme të përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët i hapën atij portën drejt marrjes së pushtetit. Në Gjermani është e padiskutueshme se kujt i takon mandati për krijimin e qeverisë: i takon partisë që del e para.
Në të kaluarën Merz shpesh ka dhënë deklarata kontraverse ndaj të huajve, të cilat kanë ngjallur kritika në mediat liberale gjermane. Me këtë retorikë ai është përpjekur të tërheq një pjesë të votuesve që kanë ikur te Alternativa për Gjermaninë. Por retorika e Merzit në këto zgjedhje rezultoi kundërproduktive. Pak para zgjedhjeve ai i ofendoi të gjithë të majtit, duke i quajtur njerëz që “nuk janë tamam në vete”. Rezultati po shihet sonte: partia e majtë DIE LINKE, e cila mendohej se nuk do të hynte fare në parlament, i fitoi gati 9 për qind të votave.
Merz ndodhet para një sfide të madhe: për krijimin e qeverisë atij do t’i duhet të bëjë kompromise me partitë që deri dje i ka quajtur të paafta.