Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka pohuar se fentanili ilegal, i shitur rrugëve, është një prej arsyeve kryesore për tarifat tregtare që ai ka vendosur ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, këtë javë.
Ndaj dy të parave, shtete fqinje, ai tha se ka vendosur të pezullojë për një muaj vendosjen e tarifave të planifikuara, pas negociatave në momentet e fundit me to.
Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, opioidi sintetik fajësohet për shkaktimin e një “emergjence kombëtare”, për të cilën, sipas saj, duhej merreshin masa të forta.
Çfarë është fentanili?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), fentanili është një opiod i fuqishëm sintetik, që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve dhe për anestezion. Ai konsiderohet se është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm sesa morfina.
OBSH-ja e ka fentanilin në listën e barnave esenciale, dhe ai gjendet edhe në listën e barnave narkotike të regjistruara për qarkullim
Sipas OBSH janë dy lloje të fentanilit: farmaceutik dhe ai i krijuar ilegalisht.
Fentanili mjekësor, sipas këtyre qendrave, prodhohet nga kompani farmaceutike dhe përdoret në operacione apo për të trajtuar dhimbjet e mëdha, kryesisht të pacientëve me kancer. Ai mund të jetë në formë të fllasterëve apo në formë të tabletave.
Ndërkaq, fentanili që krijohet në mënyrë ilegale kryesisht gjendet në formë të pluhurit, apo i shtypur në formë të tabletës. Ai mund të tymoset, thithet me hundë, injektohet apo gëlltitet.
“Fentanili dhe barnat analoge të ngjashme në aspektin kimik [përfshirë karfentanilin, aketifentanilin, butirfentanilin dhe furnail fentanilin] janë të lidhura me rritjen e vdekjeve nga mbidozat me opioide. Ka dëshmi se trafikantët e drogës mund të jenë duke shtuar fentanilin për të rritur fuqinë e produkteve të tyre [sikurse heroina] dhe e shesin fentanilin në formë të tabletave dhe i bëjnë të duken si barna të zakonshme. Prandaj, shumë përdorues dalin pozitiv në testet për fentanil dhe për barnat e tjera analoge, dhe nuk e dinë se ku e kanë marrë këtë substancë”, thuhet në ueb-faqen e OBSH.
Si është situata me fentanilin në SHBA?
Fentanili shkakton vdekjen e dhjetëra mijëra personave në SHBA çdo vit, dhe shteti e ka shpallur epidemi përdorimin e barnave opioide.
Gjatë dekadës së fundit, fentanili me shpejtësi është bërë një nga ilaçet më vdekjeprurëse në SHBA, sipas Associated Press, që ka cituar të dhëna nga autoritetet në luftën kundër drogave.
Më 2022, dy e treta e mbidozave – pothuajse 74.000 raste – u shkaktuan nga opioidet sintetike, kryesisht fentanili.
Kjo substancë u shfaq në tregun e zi amerikan më 2014, sipas Reuters. Fillimisht, ishte dërguar kryesisht nga Kina, përmes postës, deri më 2019, kur Pekini, nën presionin amerikan, e klasifikoi si substancë të kontrolluar.
Atëbotë, shërbimi postar amerikan rriti monitorimin, përfshirë gjurmimin elektronik të të dhënave për më shumë dërgesa ndërkombëtare, dhe hetoi transaksionet në tregjet e paligjshme në internet.
Që atëherë, organizatat kriminale meksikane kanë marrë tregun dhe janë bërë trafikantët kryesorë të fentanilit në SHBA.
Trafikimi i kësaj substance është përmendur 12 herë në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar javën e kaluar nga presidenti Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa shteteve, me qëllim që, veç tjerash, të ndalet trafikimi i kësaj substance. Kjo substancë është identifikuar si problem kombëtar në SHBA.
Përmes këtij urdhri ekzekutiv, SHBA-ja ka fajësuar Kinën se nuk po ndërmerr masat e nevojshme për të ndalur “dërgesat e substancave kimike që përdoren për prodhimin e drogave, te kartelet e caktuara kriminale”, shkruan REL.