Prof. Jupi promovon dramën “Dhelprat e vogla” – ja çfarë është sfida e të qenit grua!

spot_img

Nga Taulanda Jupi

Mbrëmjen e shkuar pata mundësinë të shijoj dramën “Dhelprat e vogla,” të dramaturges Lilian Hellman, një nga produksionet teatrore më të arrira të këtij sezoni. Nën imazhin regjisorial Spiro Dunit, një trupë aktorësh sollën në skenë një dramë që rezonon me realitetin shqiptar në çdo dimension të konfliktit dramatik.

“Dhelprat e vogla” është më shumë sesa një dramë mbi lakminë dhe konfliktet familjare. Është një reflektim që ngre pyetje të thella mbi rolin e gruas, kufizimet dhe pengesat me të cilat ajo përballet në një shoqëri që u mohon mundësitë dhe të drejtat themelore.

Në qendër të konfliktit dramatik qëndron Rexhina Hidens e cila nuk është thjesht një arketip i gruas ambicioze dhe të etur për pushtet, por një individ i krijuar nga një shtypje dhe frustrim i madh që një grua përball në familje e më tej në struktura të tjera të shoqërisë.

Rozina Kostani ka krijuar një karakter shumëdimensional të Rexhina Hidens, duke sjellë në skenë një personazh kompleks me dritë-hijet, dramën dhe të vërteta tronditëse.

Me lojën e saj Kostani “gërmoi” thellë në psikologjinë e personazhit, duke sjellë në skenë një ekulibër admirues mes forcës dhe dobësisë, dëshpërimit dhe lakmisë e ambicies, humbjes së njerëzores dhe fitores së pushtetit mbi të tjerët.

Kostani arrin të ndërtojë një personazh që është një pasqyrë e pasigurisë dhe ambicieve të një gruaje të dëshpëruar për të siguruar vendin e saj në një shoqëri që e margjinalizon.

E vendosur në qendër të konfliktit, Kostani nën lëkurën e Hidens së bashku me regjisorin dhe aktorët e tjerë Sokol Angjeli, Albano Prodani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Xhulia Musagalliu, Roerd Toçe, Erin Kujofsa, Natasha Sela, Kastriot Ramollari, kanë krijuar një realitet artistik ku reflektohet dhimbshëm konflkti mes gruas dhe shoqërisë, fara e të cilit mbillet në familje.

Kjo është fuqia e teatrit, sepse ashtu siç Stella Adler thotë: “Teatri ekziston për t’u thënë njerëzve të vërtetën për jetën dhe dukuritë shoqërore.”

“Dhelprat e vogla”, një shfaqje për të mos u humbur në Teatrin Metropol.

Latest articles

Related articles