Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka zhvilloi sot një takim me shqiptarët në Belgjikë, të cilëve u bëri thirrje të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
“Sot vendi ynë i ka sytë tek ju”, u shpreh Noka, ndërsa iu drejtua të pranishmëve në këtë takim.
Sipas Nokës, diaspora është sot shpresa për ndryshimin. “Jeni shpresa e shqiptarëve për të kthyer vendin në rrugën normale drejt Europës”, tha Noka.
“Ju e mbani mend, në 2013 premtoi 300 mijë vende pune Edi Rama. Dhe ja ku jemi sot, 1.1 milionë prej nesh janë në Bruksel, në Gjermani, në Holandë, në Luksemburg, në Danimarkë, në Itali, në Norvegji, në të gjithë Europën. Shëndetësinë falas që iu tha shqiptarëve, ai ua zëvendësoi me bizneset e kushërirës së tij, Vilma Nushit dhe të Rrapajt”, tha Noka.
Noka tha se sot jemi para një momenti historik. “Një e ardhme e begatë dhe e ndritur e pret Shqipërinë. Por, që ajo të bëhet realitet pret kontributin tuaj, pret investimin tuaj, të çdonjërit prej jush, të atyre që janë këtu dhe që nuk janë këtu”, tha ai.
Sipas Nokës, “zgjedhjet e 11 majit, janë procesi që do të ndajë dy epoka, atë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me atë të zhvillimit dhe integrimit europian”.
“Tani është radha e shqiptarëve të diasporës. Sepse, nuk ka asnjë komb në botë që të ketë më shumë se gjysmën e vet jashtë trojeve gjeografike. Sot 3.7 milionë votues janë në regjistrat e zgjedhjeve në Shqipëri. Por 1.5 milionë janë në Shqipëri. E gjithë pjesa tjetër janë në diasporë. Është radha juaj të frenoni rrugëtimin e Shqipërisë drejt asgjëkundit dhe ta ktheni në atë rrugëtim që kemi patur ne ëndërr dikur, rrugëtimin drejt Europës”, tha Noka.
Sipas tij, “PD ka paraqitur para shqiptarëve programin nga më të mirët që ka patur historia e demokracisë shqiptare”.
“PD, ka një program tejet serioz, dhe ka një vendosmëri të palëkundur për ta nxjerrë vendin nga kjo varfëri ku e ka zhytur regjimi i Edi Ramës për ta nxjerrë nga kthetrat e krimit të organizuar dhe të mafies shqiptare dhe ndërkombëtare. 11 maji është mundësia e madhe e një ndryshimi dhe ne do ta bëjmë realitet atë. Regjistrohuni dhe bisedoni me çdonjërin. Janë 120 mijë shqiptarë në Belgjikë”, shtoi Noka.