Italia ka vendosur t’i rikthehet prodhimit të energjisë bërthamore. Ministri italian për Sigurinë e Energjisë dhe Mjedisit, Gilberto Piketo Fratin, ka deklaruar se plani është që deri në vitin 2027 të rinisë prodhimi i energjisë bërthamore pas më shumë se katër dekadash.
Italia ndaloi reaktorët bërthamorë bazuar në një referendum të mbajtur më 1987 pas katastrofës së Çernobilit.
Në vitin 2011, qytetarët e këtij vendi e konfirmuan këtë vendim në një tjetër referendum, por qeveria aktuale italiane e udhëhequr nga Giorgia Meloni njoftoi vitin e kaluar se planifikon të miratojë një ligj për kthimin në energji bërthamore, e cila këtë herë do të prodhohej nga reaktorë të vegjël modular (SMR). Këta reaktorë besohet të jenë unikë dhe më të lirë për t’u ndërtuar dhe instaluar. Por vite më parë ka qarkulluar si ide që të përdoret Shqipëria si vend për prodhimin e energjisë nukleare.
Dhe sapo u hodh ideja në Itali, mediat italiane kanë nisur spekulimet, marrë shkas dhe nga marrëveshja për shtrimin e kabujve nënujorë.
Është ‘Staffeta Online’, që ka shkruar një artikull me titullin: “Po sikur të prodhonim energji bërthamore në Shqipëri?”
“Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë? Ideja, e cila është gjithashtu në përputhje me prirjen e qeverisë për të transferuar çështje të mprehta si emigracioni përtej Adriatikut, aktualisht po qarkullon si shaka (por jo gjatë), pas misionit të kryeministres në Abu Dhabi”, shkruan media italiane.
Rama dhe Meloni firmosën një pakt në Arabi, ku do të shtrihen kabujt nënujorë nga vendi ynë drejt Italisë për kalimin e energjisë elektrike. Dhe sipas mediave italiane, në fakt mund të fshihet diçka tjetër. Këta kabuj mund të shërbejnë shumë lehtë dhe për transportimin e energjisë që mund të vinte nga reaktorët bërthamorë.
Kjo nuk është hera e parë që përflitet një gjë e tillë. Edhe në vitin 2023, kur u arrit pakti për refugjatët, u fol dhe për ndërtimin e një centrali bërthamor.
Në atë kohë mediat shkruanin se flitej për një central bërthamor me kapacitet 1.500 Megavat, një investim 4 miliardë euro.
“Takimi mes kryeministres Giorgia Meloni dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama vijon të flasë. Dhe jo vetëm për miqësinë historike mes të dyve, por për dosjet (të shumta) të hedhura në tryezë gjatë takimit të tyre: turizmi dhe energjia janë dy fjalë kyçe. Dhe pikërisht rreth kësaj të fundit po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse zërat për një “kthim” të energjisë bërthamore në Shqipëri, me hipotezën e ndërtimit të një impianti në bashkëpunim me Italinë”, shkruanin mediat italiane në atë kohë.
Të shohim nëse këtë herë do të mbetet po në vazhdën e hipotezave, apo Rama-Meloni do të thellojnë më tej aleancën mes tyre.
burimi: https://www.staffettaonline.com/articolo.aspx?id=392420