Berberi i Aeroportit dhe dilema e Marksistit – Nga Dash Kokonozi

Nga Dashnor Kokonozi

(Ideologjia përballë Prokustit të versionit berber)

Berberi edhe sot mendon se bënte punën e tij. Nuk vuante nga asnjë dileme. Shkencat sociale e politike ende nuk e njohin një “dilemë të berberit”.
Dilema e marksistëve, përkundrazi, ekziston. Asnjë i huaj me mjekër të rritur, cilado qoftë ngjyra e saj, nuk e kalonte kufirin e Shqipërisë. Po aq e vërtetë është se, askujt nuk ia rruanin mjekrën me zor. Nëse doje të hyje, urdhëro e ulu në karrigen e berberit. Çmimi ishte mjekra, ca gramë lesh.
Berberi na siguron se kurrë nuk kishte parë njeri të kthehej mbrapsht. Të paktën jo nga aeroporti i Rinasit. Qe fort e ngjarë që kjo të kishte ndodhur në pikat kufitare tokësore. Se kishte mjaft kureshtarë që, sa kohë po silleshin nëpër Ballkan me makinat apo auto karvanët e tyre, u dilte përpara një tabelë e shtrembër e bojërrjepur, me emrin e Shqipërisë. Kureshtja ishte e madhe, por në të njëjtën kohë mësonin se jo vetëm që kërkohej leje speciale, por në çdo rast, duhej të linin mjekrën në këmbim të ngritjes së traut të pikës kufitare.
Marksistët, përkundrazi, edhe pse e vlerësonin mjekrën e tyre (ishte ajo që i afronte më shumë me Marksin), nuk u mungonte kureshtja të shihnin çfarë ndodhte aty. Këtu ishte edhe origjina e dilemës së tyre. Shqipëria në një farë mënyre u qe paraqitur si paradhomë e të ardhmes së njerëzimit. Të hyje aty, qe njëlloj si të shihnin të ardhmen në një poçe qelqi.
Siç është vërejtur nga një numër berberësh të besueshëm, qëllonte që midis tyre të kishte ndonjë që lidhej menjëherë me ambasadën shqiptare që u kishte lëshuar vizën, për t’i kujtuar premtimin për mos cenimin e integritetit fizik. E kotë. Spiunët e ambasadave konvertoheshin në anatomistë dhe u kujtonin se mjekra nuk ishte organ jetik.
Atëherë lëshoheshin te një stol i zakonshëm dhe përpiqeshin t’i jepnin zgjidhje dilemës së papritur. Por koha nuk priste. U duhej të gëlltisnin sa më shpejt traumatizmin dhe të uleshin pak më tutje, te karrigia mitologjike e Prokustit, në versionin berber.
Shpjegimi ishte pak a shumë i thjeshtë. Prej kohësh kishin qenë në kontakt me profesorë universitetesh që darkave, në ndonjë tavernë të bregut të majtë të Senës, diskutonin të qetë para një gote shampanjë për t’u ngritur vetëm pasi kishin arritur në përfundimin se fjala vjen 40 milion të vrarë në Kinë dhe shtimi bakteriologjik i burgjeve dhe kampeve të përqendrimit në Shqipëri, ishin vetëm një detaj i historisë. Ata vetë kishin edhe ndonjë farë praktike të luftës guerile duke djegur makinat në lagjet e pasura të Parist, Londrës, Bonit a Amsterdamit (por rrallë tregonin se edhe vetë e kishin një të tillë).
Në fund, marksistët ndiheshin disi më të kthjellët. Historia nuk e thotë nëse kuptonin gjësendi gjatë atyre vizitave falas në Shqipëri. Por berberët e shumtë japin siguri të plota se në kthim nuk shihnin gjurmë të dilemës në fytyrat e tyre.
Kishin kuptuar se ose duhej t’i pohonin botës se Ferri ekzistonte dhe se ne Rinas ishin portat e tij, ose të mbronin ideologjinë e tyre duke këmbëngulur marrëzisht se ekzistonte një vend ku populli ishte vërtet zot i fateve tij. Në fakt, edhe po të mos ekzistonte, ai duhej ngritur nga e para. Ky ishte kushti që të kishin një zë në debatin politik të kohës.
Nëse në mendjen e tyre mbijetonin ende elementë të dilemës së fillimit, ata kishin edhe premtimin e një vizite të të dytë falas 𝒾𝓃 𝓈𝒾𝓉𝓊……
Aty ku koha kishte ngrirë!

Latest articles

Related articles