nga Sebastian Zonja
Në emisionin “MCN Informacion” për një pyetje interesante – A ka apo jo subjekte radikale, të majta apo të djathta, në Shqipëri?
Sovraniteti, territori, drejtësia, korrupsioni, burgu, buxheti, infrastruktura, modeli ekonomik… s’janë të majta apo të djathta, por prerogativa të shtetit. Si ka mundësi që edhe këto çështje kardinale janë pjesë e diskurit “e majtë apo të djathtë” në Shqipëri? Sepse Sali Berisha dhe Edi Rama nuk kanë asnjë parametër prej shtetari.
Unë nuk i mbështes subjektet radikale, as teoritë konspirative, as ekstremistët, por di se nuk mund të ketë qendër të djathtë dhe qendër të majtë pa të djathtë apo të majtë ekstreme – s’mundet me pas qendër pa skaje. Shqiptarëve u mungon spektri radikal politik. Pse? Po të shohim historinë politike të çdo vendi në Bashkimin Evropian, gjen parti të tilla – Gjermani, Francë, Austri, Holandë…
Shihni rajonin, sllavo maqedonasit dhe serbët kanë organizatat e tyre radikale. Radikaliteti më i madh ndër shqiptarë sot është: kundër Ramës dhe Berishës; kundër apo pro SPAK-ut… Të vjen keq kur dëgjon këto artikulime dhe shiten për politikë e madhe nga trekëndëshi i Bermudës – Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha apo dikush tjetër.
E majta dhe e djathta janë koncepte bosh. Janë të dyja njësoj. Përkëmbehen, kohë pas kohe, me njëra-tjetrën. Dallimi thelbësor është rishpërndarja dhe akumulimi ekonomik. Këto janë parime të kudogjendura që nga fillimi i njerëzimit – gjuajmë bashkërisht, rishpërndajmë në kope. E majta dhe e djathta janë bosh përsa kohë shteti modern ka monopolin e dhunës, burgjet, policinë dhe ushtrinë. Në këtë aspekt, shteti është i vetmi agjent. Kushdo vjen në pushtet ka një arkivë për zgjidhjen e problemeve. Kjo sjell që ti si qeveri e majtë apo e djathtë të përdorësh të njëjtën metodë për të zgjidhur një problem, pavarësisht si e shet.
Kur e sheh me kujdes, shteti është i vetmi agjent veprues dhe si i tillë ka të njëjtën qasje: që një politikë të jetë sa më efektive, që qeveria të marrë vota për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Çfarë nuancash i jep kjo, mbetet për t’u parë. Marrim PS-në. Nëse monopolizon të gjitha importet, naftën e sjell i njëjti person, koncesionet i ndan i njëjti person, ky është monopolizim i pushtetit. Nëse ti vendos lajle-lule të tipit ulja e energjisë me 1 lekë apo disa banesa më shumë, kjo nuk ndryshon ndonjë gjë. PS ka kapur shtetin dhe s’ka demokraci në Shqipëri.
PD-ja është e pastrukturuar dhe e gjymtuar. Ndjek ligjërimin që bën PS. Nëse Ramathotë do mbyll Tik Tokun, PD thotë do hap Tik Tokun.
Në Rusi p.sh. nuk ka të majtë e të djathtë. Je i lirë të bësh çfarë të duash sa kohë nuk shan liderin.
Sa i përket së djathtës sonë – PD nuk bëri asgjë as për ish-pronarët as për ish-të përndjekurit. Në ’90-n, Berisha erdhi si triumfator dhe çlirimtar. Tani vjen sërish po kështu, po nëse atëherë kishte armiq komunistët, sot ka amerikanët, sepse komunizmi ka vajtur edhe në Amerikë, sipas tij.
As zoti Rama dhe as zoti Berisha nuk e kalojnë dot vetveten. Ligjërimi i tyre në vitet ‘90, mjafton ta dëgjosh, është sa i një 15-vjecari në ditët e sotme, i cili ka mundësi të hapë mediat sociale. Kanë para dhe pushtet për të manipuluar dhe duken të magjishëm.
PD ka dështuar në misionin e saj dhe ka dështuar edhe për shkak të Sali Berishës. PS mbetet parti-shtet.