Qeveria Rama ka shpallur garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit të Prokurimit Publik. Përmes një thirrjeje të publikuar në Buletinin e Prokurimeve, Kryeministria fton personat e interesuar që të aplikojnë për të qënë kryetar i KPP.
Sipas njoftimit, aplikanti duhet të përmbushë një sërë kriteresh, mes të cilëve edhe atë të mosqënit nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale. “Aplikanti duhet të paraqesë vërtetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk është nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale,” thuhet në shpallje.
Në thirrjen e shpallur, Kryeministria njofton se aplikantët e interesuar kanë kohë deri në 27 janar për të dorëzuar aplikimet e tyre.Që prej korrikut të vitit 2020, Komisioni i Prokurimit Publik është drejtuar nga Jonaid Myzyri. Por më parë gjatë periudhën 2015-2019, ai ka mbajtur postin e inspektorit pranë këtij institucioni. Gjatë vitit të kaluar zoti Myzyri është thirrur dy herë nga SPAK, për një sërë tenderash, ku çështja më e bujshme është ajo e koncesionit të sterilizimit.
Në shkurt të vitit të kaluar Myzyri u mor për më shumë se dy orë në pyetje nga prokurorët e SPAK për çështjen e Sterilizimit. Myzyri u përfshi në këtë çështje, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi SPAK që të hetojë dhe rolin e Komisionit të Prokurimit Publik në aferën e Sterilizimit.