Ka përfunduar marrja në pyetje e ish-Presidentit të vendit Ilir Meta, i cili u paraqit në SPAK rreth orës 11:00 të ditës së sotme.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj ka dhënë detaje në lidhje me atë që ndodhi në seancë. Sipas Gjokutajt, Meta u tregua bashkëpunues dhe ditën e sotme u pyet vetëm në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.
“Sot është pyetur për sa i përket lobimit në Amerikë. Meta ka qenë bashkëpunues për aq sa mbante mend. Sot procesverbali u firmos dhe seanca u realizua. Sot ishte vetëm prokurori Sotir Kllapi me oficerin e policisë gjyqësore. Seanca e sotme ishte e dedikuar në pyetjet për lobimin dhe vetëm për këtë episod, pra çështjen e lobimit”, tha Gjokutaj.
Dëshmia e Ilir Metës në SPAK zgjati rreth 2 orë. Presidenti i PL-së dërgua në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme nga qelia 313 me anë të tunelit që lidh burgun me SPAK.
Ish-presidenti u arrestua në 21 tetor të 2024 dhe ndodhet në qeli nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”.
Ai u arrestua me urdhër të SPAK nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024