WP refuzoi të botonte një karikaturë të Jeff Bezos. Jep doreheqjen karikaturistja fituese e Pulitzer

Një karikaturiste fituese e çmimit Pulitzer ka dhënë dorëheqjen nga The Washington Post pasi gazeta refuzoi të botonte një karikaturë satirike të pronarit të saj miliarder, Jeff Bezos.

Ann Telnaes, krijoi një karikaturë të Bezos dhe miliarderëve të tjerë amerikanë të gjunjëzuar para një statuje të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Ajo tha se refuzimi i gazetës për ta publikuar atë është rrezik për shtypin e lirë në Amerikë.

Në karikaturë, Bezos, themeluesi i Meta-s Mark Zuckerberg dhe Sam Altman i OpenAI-t janë në gjunjë duke i dhënë çanta me para një statuje të Trump.

Telnaes njoftoi dorëheqjen e saj në një postim në media sociale, duke thënë se ajo kishte punuar për gazetën që nga viti 2008.

“Në gjithë këtë kohë nuk më është refuzuar kurrë asnjë karikaturë për shkak të personazhit apo ngjarjes që kam zgjedhur të vizatoj. Karikatura që nuk u publikua kritikon miliarderët drejtues të teknologjisë dhe mediave, të cilët kanë bërë çmos për të fituar simpatinë e Presidentit të zgjedhur Trump”, shkroi Telnaes.

Ndërkohë David Shipley, redaktori i faqes editoriale të gazetës, tha se ai vendosi të mos e publikonte karikaturën për të shmangur përsëritjen, jo sepse tallte pronarin e saj, Jeff Bezos.

“Unë e respektoj Ann Telnaes dhe gjithçka që ajo i ka dhënë The Post. Por nuk pajtohem me interpretimin e saj të ngjarjeve. Vendimi erdhi nga fakti se sapo kishim botuar një rubrikë karikaturash me të njëjtën temë dhe jo sepse karikatura tallte pronarin e gazetës”, tha redaktori i gazetës për BBC

Latest articles

Related articles