Basha: Liria e medias rrezikohet nga mungesa e sigurisë dhe presionet politike

Në 34-vjetorin e krijimit të gazetës “Rilindja Demokratike”, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, vlerësoi guximin e gazetarëve dhe intelektualëve që sollën fjalën e lirë në Shqipëri, duke hapur një epokë të re për demokracinë dhe shtypin e pavarur.

“5 janari shënon 34 vjet nga dita kur “Rilindja Demokratike” solli për herë të parë fjalën e lirë në Shqipëri, duke hapur një kapitull të ri për demokracinë dhe shtypin e pavarur. Guximi i gazetarëve dhe intelektualëve të asaj kohe mbetet një frymëzim për të gjithë ata që edhe sot besojnë se media e lirë është shtylla e një shoqërie demokratike”, shkruan Basha.

Në postimin e tij, Basha shpreh shqetësimin për sfidat e lirisë së medias në vend, kërcënimet ndaj gazetarëve, autocensurën dhe mungesën e transparencës nga institucionet.

“Ndërkohë, liria dhe pluralizmi i medias në vendin tonë rrezikohet: nga mungesa e sigurisë për gazetarët, kërcënimet e pavarësisë editoriale, presionet politike dhe ekonomike, autocensura, deri te mbyllja e dyerve për transparencë nga institucionet. Por, pa një shtyp të pavarur, nuk mund të ketë demokraci funksionale as zhvillim të qëndrueshëm”, shkruan Basha.

Më tej Basha nënvizon se “në këtë 34-vjetor të Rilindjes Demokratike, iu shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite për ta bërë këtë media një tribunë të fjalës së lirë, por edhe gjithë gazetarëve dhe redaksive që vazhdojnë të qëndrojnë në llogore të informimit të pavarur, në shërbim të interesit publik”.

“Le të jetë kjo ditë një kujtesë e rëndësishme për domosdoshmërinë e mediave të pavarura në mbrojtjen e së vërtetës, interesit publik dhe të ardhmes demokratike të Shqipërisë”, shkruan Basha.

Latest articles

Related articles