Nga Rigels Seliman
Historia e Erion Veliajt në politikën shqiptare është një rrëfim magjepsës i ngritjes dhe rënies së një “ylli të ndritur”, që brenda një kohe të shkurtër u ngjit në majat e pushtetit dhe po aq shpejt po shembet nga peshat e klaneve dhe dyshimeve për korrupsion. Për dikë që u fut në Partinë Socialiste pa kontribut historik, por që arriti të bëhej deputet, ministër, kryetar bashkie i Tiranës dhe madje të aspironte për pasardhësin e Edi Ramës në krye të PS, ky është një rrëfim që i ngjan një tragjedie të shkruar keq.
Shkëlqimi i një ylli të krijuar në laborator
Në fillimet e tij, Veliaj u paraqit si simbol i një brezi të ri politik, me një vizion të freskët dhe një stil jete që linte të kuptohej se ai ishte larg imazhit të zymtë të politikanëve tradicionalë shqiptarë. Fati i tij politik ishte aq i mirëorganizuar sa duket se dikush e kishte ndriçuar me projektorët e duhur. Pa asnjë histori përpjekjesh në bazë, pa sakrifica apo mbështetje të gjërë nga strukturat e Partisë Socialiste, ai arriti të bëhet një ndër njerëzit më të fuqishëm të PS-së. Në kulmin e fuqisë së tij, Veliaj shndërroi Tiranën në një shfaqje të vetvetes. Nga kullat që u ngritën për të sfiduar qiellin, tek betonizimi masiv që u justifikua si “zhvillim”, kryebashkiaku Veliaj
u shfaq si një menaxher i palodhur i fasadave të shkëlqyera, por shpesh pa thelb. Ndërsa rrethi i tij i afërm e shihte atë si pasardhës të Edi Ramës, realiteti i tij politik dukej se po bëhet gjithnjë e më shumë një karikaturë e vetëkrijuar.
Rënia nga klanet në PS tek SPAK
Por shokët dhe kundërshtarët e Veliajt nuk e shihnin atë me të njëjtën simpati. Klanet brenda Partisë Socialiste, që zakonisht vijnë të heshtura e të maskuara, filluan të ziejnë kundër tij. Shumë prej tyre nuk e shihnin Veliajn si “njeriun e popullit”, por si një rrezik për trashëgiminë e Ramës dhe për strukturat e ngulitura të PS. Në këtë kontekst, shfaqet SPAK. Përmes një deklaratë të fuqishme, Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi një hetim penal për një sërë akuzash të rënda, si korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe fshehje e pasurisë. Ky është momenti, ku shkëlqimi i Veliajt fillon të zbehet me shpejtësi. Hetimi nuk është vetëm një çështje ligjore, por është një goditje politike që shkatërron çdo pretendim të tij për një të ardhme më të madhe në Partinë Socialiste. Fakti që SPAK ka arritur të regjistrojë një procedim penal dhe të bëjë të qarta dyshimet për veprime kriminale të lidhura me Veliajn është më shumë se një lajm; është një sinjal për të gjithë sistemin. Në vend që të merret me përballjen e klaneve, Veliaj duhet tani të përballet me një sistem drejtësie që duket më i guximshëm se kurrë.
Një mësim i hidhur për një politikan të llastuar
Rënia e Erion Veliajt është një kujtesë se shkëlqimi politik është shpesh i përkohshëm dhe i varur nga dy elemente të brishtë: mbështetja e strukturave dhe pastërtia e veprimeve. Për një njeri që pretendonte të ishte një lider i ndryshimit, të gjesh veten të përfshirë si i dyshuar në akuzat më klasike të korrupsionit është një ironi e rëndë. Nëse dikur ai u ngrit si një figurë e promovuar me kujdes, tani Veliaj rrezikon të mbetet një shembull i politikanit që, për shkak të egos dhe arrogancës, shkaktoi jo vetëm rënien e tij, por edhe një dëm të madh për qytetin që pretendoi të shërbente. Shokët në PS do të vijojnë lojën e tyre. Veliaj, ndërkohë, do të duhet të përgatitet për betejën më të vështirë: atë me drejtësinë, e ndoshta edhe me historinë.