Deal-i me Tik Tokun më i rrezikshëm se sa kyçja e tij

spot_img
Advertisements

Nga Erion Delvina

  1. Marrëveshja më e dëmshme se sa kyçja

Problemi më i pazgjidhshëm nuk qëndron nëse Rama e kyç Tik Tokun sikurse zotohet për fillimvitin e ri. Problemi do të nisë të shtrohet e të bëhet i mprehtë nëse, pas një mbylljeje paraprake, Rama dëshmon mëshirë dhe e rihap atë, pasi gjen një deal me TikTokun.

Mbi çfarë mund të arrihej kjo marrëveshje? Mbi filtrat në përmbajtje dhe mbi hapësirën e përftimit të të dhënave masive.

Në një gjuhë popullore do t’ju kisha thënë: më mirë ta kyçë Tik Tokun, se sa të bëjë deal me të. Përndryshe dëmtohet gara.

Përshkallëzimi rritës i ndikimit të rrjeteve sociale për shkak të përdorimit të pajisjeve si smartphone dhe tablet përherë e në përmasa më të mëdha shenjon një fenomen të ri: prodhimin e big data-ve, të dhënat masive.

Sjellja votuese pasqyrohet përpara një mekanizmi hiperteknologjik, hipershkencor të përpunimit të të dhënave, që mund të prodhojë strategji elektorale dhe mesazhe të atilla deri në kujdesin më inteligjent: natyral ose artificial, për ta dëmtuar garën e drejtë dhe për t’i dhënë përparësi më të përparuarit nga garuesit në inxhinierinë zgjedhore.

Nuk ka asnjë dyshim që këtë avantazh prej kohësh e ka Rama si primat të vetin.

Gjithsa shkruaj nuk janë fryte të fantazisë por ndodhi faktike e praktike: Donald Trampi ka çelur një epokë të re në vitin 2016 me përfshirjen e analizës strategjike të Big Datave në zgjedhje.

  1. Cambridge Analytica dhe metoda Kosinski

Në vitin 2016, Donald Trampi bashkëpunoi me kompaninë “Cambridge Analytica”. Kjo kompani u përfshi në një skandal lidhur ne mbledhjen e të dhënave përmes aplikacioneve të palëve të treta në Facebook, pa dijeninë e përdoruesve.

Si mblidheshin këto të dhëna? “Cambridge Analytica” përdorte një sistem të quajtur “mikro-targetimi i sjelljes”, bazuar në një algoritëm të zhvilluar nga studiuesi i Universitetit të Kembrixhit, Michal Kosinski.

Kosinski kishte krijuar një sistem dhe mbi të një bindje gati shkencore se mbi sjelljen në treg të një individi, mbi zgjedhjet e tij, me vetëm 70 pëlqime në Facebook mund të mësohej më tepër për të dhe personalitetin e tij nga sa dinin vetë miqtë e tij; me 150 pëlqime mund të mësohej për të dhe personalitetin e tij më tepër nga sa për të dinin prindërit e tij dhe me 300 pëlqime, më tepër se sa vetë partneri/partnerja përkatëse.

Harta të tëra të personalitetit të shijeve dhe zgjedhjeve, boshteve psikologjike dhe të sjelljes së individëve përftoheshin përmes kësaj metode.

Cambridge Analytica, më tej, siç pohoi edhe vetë pas shpërthimit të skandalit, kishte zhvilluar një sistem që ndante popullsinë sipas pesë tipareve kryesore të personalitetit:

hapje mendore (openness), ndërgjegjshmëri (conscientiousness), ekstroversion (extraversion),
dashamirësi/pranueshmëri (agreeableness)
dhe neuroticizëm (nevroticizëm/stabilitet emocional).

Kompania zotëronte 5 mijë pika të dhënash automatike për çdo individ. Në rastin e përdorimit nga Donald Tramp: votues.

Ajo mund të krijonte mesazhe të personalizuara duke përdorur jo vetëm temat që për ta çmoheshin si parësore, por shkonte deri aty sa të krijonte dhe përzgjidhte deri edhe fjalët më efikase në bazë të tejpersonalizimit të mesazhit, për ta bindur votuesin.

Donald Trampi përfitoi nga pjekja e plotë e një qasjeje që nuk ishte eksperimentuar rishtas nga ai.

Më herët, fushata e ish-presidentit Obama kishte rekrutuar disa nga analistët më të mirë të atyre që njihen si “shkencat behaviourale”. Ata ndërtuan një departament krahas Obamës që njihej si “The Cave”. Nga “shpella e Fushatës” u përftuan teknika të reja të marketingut politik, të panjohura më parë në shkallë globale.

Aq risi prodhoi “The Cave” i Obamës, sa jo vetëm i dha fushatës së ish-presidentit demokrat një avantazh konkurrues dhe një fitore, por tërhoqi edhe vëmendjen e shumë kompanive të mëdha që rekrutuan menjëherë anëtarë të stafit të Obamës.

Prej “The Cave”, pasuan edhe themelet e dy kompanive të mëdha të analizës strategjike të Big Datave: Analytics Media Group dhe Civis Analytics, të cilat edhe sot e kësaj dite ofrojnë shërbime për politikën dhe bizneset në drejtim të mjeteve digjitale.

  1. Nënkontraktorë të Emerdata-s në Shqipëri

Tik Toku është rrjeti social më i përdorur nga shqiptarët e Shqipërisë dhe ata jashtë saj. Tik Toku mbuloi në kohën më të shkurtër sipërfaqen dhe numrin më të madh të përdoruesve. Tik Toku paraqiti barrierën më të ulët të filtrave të përdorimit. Tik Toku nuk është i panjohur për Partinë Socialiste: edhe përpara mbylljes, kryeministri Rama e udhëhiqte garën në këtë rrjet. 8 vjet pas luftës së Big Data-ve në ShBA, kushtet janë pjekur që kjo luftë të zhvendoset në Shqipëri me kohë të plotë. Andaj duhet ndjekur sy e vesh nëse, në këtë drejtim, Rama përmes shtrëngimit për mbyllje arrin një marrëveshje me Tik Tokun për përftimin e të dhënave masive.

Nuk duhet harruar se pasi në SHBA shpërtheu skandali i Cambridge Analytica, vetë drejtori ekzekutiv, Nix, pranoi përfshirjen në korrupsion dhe shantazhin përmes prostitutave për politikanë të caktuar. Nix pohoi po ashtu se kishte drejtuar të gjithë fushatën digjitale të Trampit, pa përjashtuar kombinimin e aktiviteteve ilegale për këtë qëllim.

Dy muaj pas këtij skandali, kompania shpalli falimentimin. Pjesa më e madhe e stafit të saj kaloi në një kompani të re, Emerdata. Emerdata e ka qendrën në Londër. Emerdata sot është ende një kompani aktive. Ajo duket se ka metoda dhe qëllime të ngjashme me Cambridge Analytica. Emerdata ofron shërbime edhe përmes nënkontraktorëve. Kryesisht përmes tyre sa më larg botës anglo-saksone. Informacionet më thonë se përmes tyre ka mbërritur moti me ekspertizë edhe në Shqipëri.

Konkluzion

Ky tejinxhinierim zgjedhor nuk e shëndosh demokracinë dhe nuk garanton mirëqeverisje, as fitoren e ofertës më të mirë qeverisëse. Një terren fertil për prodhim të Big Data-ve krijon një avantazh të madh konkurrues për ata që dinë t’i analizojnë. Analizimi i kujdesshëm i Big Data-ve dhe përdorimi i kujdesshëm i këtyre të dhënave për të identifikuar më mirë votuesit dhe portat e mundshme individuale të ndikueshmërisë së tyre e thellon këtë avantazh konkurrues. Këtë avantazh duket ta ketë Partia Socialiste, që në rastin e një marrëveshjeje të mundshme me Tik Tokun, mund ta thellojë pacak atë. Përmes këtyre të dhënave masive mund të zhvillohen mesazhe të personalizuara për votuesin. Në mënyrë të veçantë, duke e përgjumur Opozitën, që var shpresën te “inati i shqiptarit të larguar nga vendi”, kjo taktikë do ta shpartallojë garën sa i takon shqiptarit të Diasporës të ekspozuar përpara “tregut të Big Data-ve”. Segmenti që më së shumti do të përbëjë çudi në orientimin votues, sipas meje, do të jetë Diaspora.

spot_img

Latest articles

Related articles