Fjala e Princ Lekës II me rastin e 100-vjetorit të Triumfit të Legalitetit

spot_img
Advertisements

Të nderuar pjesëmarrës, Të dashur bashkekombsit,
Sot, kemi nderin të mblidhemi në këtë ditë të shenjtë për kombëin tonë, për të përkujtuar një moment themelor në historinë e Shqipërisë – 100-vjetorin e Triumfit të Legalitetit.
Një shekull më parë, ky akt i lavdishëm shënoi kthimin e qeverisë Vrioni, e cila udhëhoqi rrugën drejt rikthimit të Mbretit Zog dhe vendosjes së rendit kushtetues.
Triumfi i Legalitetit nuk ishte thjesht një akt politik, por një ngjarje që vendosi themelet e një Shqipërie moderne, të bazuar mbi rendin, ligjin dhe aspiratat europiane. Ishte koha kur Shqipëria doli nga kaosi dhe paqartësitë, duke u ngritur si një shtet që aspironte dinjitet dhe pavarësi të plotë. Ato vite nuk ishin thjesht histori – ato ishin gurthemelet e shtetformimit që ne ende sot i vlerësojmë.
Mbretëría e Zogut simbolizoi shtetësinë në veprim. U hodhën themelet e institucioneve të qëndrueshme, u krijua një sistem arsimor i cili synonte të formonte qytetarë të ndërgjegjshëm dhe u fuqizua roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të marrim mësime nga kjo periudhë historike. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i institucioneve janë rruga drejt një të ardhmeje të ndritur. Triumfi i Legalitetit na kujton që pa drejtësi dhe pa unitet, një komb nuk mund të ecë përpara.
Një moment i rëndësishëm në këtë histori ishte bashkëpunimi që erdhi më vonë. Fan Noli, i cili fillimisht kishte lidhje me Partinë Popullore, të udhëhequr nga Ahmet Zogu, dhe më pas u bë kundërshtar i tij, në fund të viteve 1930 ndryshoi qëndrim.
Duke kujtuar se Revolta e Qershorit ishte po aq një konflikt brenda një “familjeje” politike brenda “Partisë Popullore” sa edhe një përballje mes kundërshtarëve politikë. Duke kujtuar gjithashtu se si Mbreti Zog, ashtu edhe Fan Noli kishin mbajtur poste politike në qeverinë e Xhafer Ypit. Noli si ministër i Punëve të Jashtme, Luigj Gurakuqi si ministër i Drejtësisë dhe Ahmet Zogu si ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes.
Përballë kërcënimit të agresionit fashist, Noli dhe Zogu u bashkuan për të mbrojtur integritetin e kombit. Ky akt dëshmon se, kur në lojë është fati i atdheut, uniteti dhe interesat kombëtare duhet të qëndrojnë mbi çdo ndarje apo përplasje politike.
Të dashur bashkatdhetarë,
Një shekull pas asaj dite të madhe, na takon neve të ruajmë dhe të avancojmë vlerat që trashëguam. Le të angazhohemi për të ndërtuar një Shqipëri ku demokracia, drejtësia dhe përgjegjshmëria të jenë udhërrëfyese. Le të forcojmë lidhjet tona si komb dhe të veprojmë si një zër i vetëm drejt integrimit europian dhe një pozicioni të denjë në botë.
Kjo është dita jonë për të reflektuar mbi të shkuarën, për të nderuar të kaluarit dhe për të punuar me vendosmëri drejt një të ardhmeje që fëmijët tanë e meritojnë.
Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj në këtë përkujtim të shenjtë dhe ju përshëndes për këtë ditë të lavdishme.
Faleminderit!

spot_img

Latest articles

Related articles