A është Edi Rama 10 hapa para? – ANALIZA

nga Gloria Mollaj

E mbani mend kohën e tallavasë në zgjedhjet vendore? Kur na thuhej me grotesk, duke na ofenduar inteligjencën e kulturën se “PS ecën përpara, e nuk kthen më kokën prapa.”?
Na diktonte me këngë tallava se Shqipëria me Ramën është “në zhvillim”. Unë e mbaj mend mirë; Asokohe e kam komentuar me 3 fjalë: Ka lexuar masën.

Të njëjtën gjë bëri kryeministri sot në dy orë fjalim në takimin përmbyllës mësues-prindër. Sot, na tregoi fuqinë e marketimit, të propagandës, të armës më të fuqishme që Rama posedon në duar, informacionin.
Më kujtohen fill pas kësaj, deklaratat virale të të rinjve në PS, të cilët duken më tepër si versione “copy paste” të socialistëve. Ilva Gjuzi, aktualisht zv. Ministre – detyrën e mori dy ditë pasi bëri këtë deklaratë – na tha se kryeministri ka shumë të meta, e meta e tij më e madhe ama konsiston në faktin se është 10 hapa para, e nuk e ndjekin dot socialistët junior.

Fundviti i Tik-Tok-ut

Më quani cinike po të doni, po në thelb Ilva Gjuzi me servilizmin që e karakterizoi në atë intervistë na tha një të vërtetë ndoshta të hidhur. Edi Rama vërtet është 10 hapa para, e ne se ndjekim dot.
Po ua ilustroj këtë të vërtetë që mezi e kapa, ishte po aq “këmbëshpejtë” si Rama.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë shpall vendim unanim të kufizojë për 1 vit Tik-tok-un. A keni parë ndonjëherë lider kaq përparimtar? Megjithë mend se ndjekim dot.
“Ai ka bërë atë që s’po e bën Amerika.”- thotë masa. Deri këtu, Rama përdori taktikën e zakonshme për t’i rezonuar një pjese të elektoratit, që kryesisht i mban gjallë paranoja me tre degëzime kyçe:

  1. Paranoja se do ngelë pa bukë.
  2. Paranoja se do humb vendin e punës.
  3. Paranoja nga “armiku i padukshëm”.

Po ta dëgjonit me vëmendje, Rama sot e “ngjalli” armikun e padukshëm, pra Tik-Tok-un duke i dhënë një rol, më saktë e personifikoi. Tik-Tok është sipas tij, “rrugaçi lagjjes”.
Nëse do kishte media të lira në Shqipëri do i sugjeroja ta bënin një prej titujve të lajmit:
Rama dënon “rrugaçin e lagjjes”: Do rrish një vit pa Tik-Tok.

Shifrat si mekanizëm mbrojtës

Duket si dënim prindëror më tepër se masë.
A mos po tregohem shumë cinike? Ta zbulojmë.
Ky është titulli kryesor, pra, babi Rama dhe rrugaçi lagjjes. Ky rrugaçi lagjjes pasi e dënoi Babi Rama, është pa Tik-Tok po me telefon, nga ku mund të shkarkojë një VPN e mund ta aksesojë sërish atë app. Po me Snapchatin, ça u bë? Kanë aq shumë masa për sigurinë në shkolla sa kjo mund t’u ketë shpëtuar, ndonëse mund t’u rriste numrin e masave të ndërmarra për sigurinë në shkolla. Na e kursyen seç do ndodhë me Snapchat-in.

Sa ishin? 90% pro të mbyllet Tik-Tok? Ja tani dalim te nëntitujt e tjerë që pluskojnë nga kjo analizë për hapat e Ramës që mezi i ndjekim.
Farsa se në Shqipëri ka demokraci. Do shkruaj gjerë e gjatë për demokracinë se sot Rama foli edhe për komunitetin.

E dini ç’tha praktikisht për qytetarë të zëshëm të cilët tentuan të flisnin e të shtronin një problematikë kaq serioze siç është siguria në shkolla?
Që “ju njoh”, ju ekzistoni dhe jeni krijuar në qeverisjen “Rama”, se po të ishit ju, në kohën e Berishës, plot 13 vjet e kusur më parë, nuk do ju përfillte njeri.
Ja e shihni, unë ju përfill.
Këtu Rama u rezonon edhe një pjese të popullsisë që arsyeton, po jo në nivel mendimi kritik. Kjo vjen pasi ky qëndrim i Ramës përkthehet më pas në sasi të konsiderueshme informacioni që i mbështesin argumentin.

Shembull: Nëse kryeministri thotë se Tik-Tok është rrënja e së keqes, opinioni publik që ka interes për zhvillime politike; aktualitet apo për lajme, do bombardohet me të njëjtën narrativë nga mediat, sa t’ua mpijë shqisën e mendimit kritik.

  1. Kronika televizive
  2. Emisione
  3. Analistë
  4. Gazetari e shkruar
  5. Influencer – nëse është e nevojshme

Është si eksperimenti me qenin e Pavlovit, pas një kohe të caktuar ripeticioni, këtij kontigjenti i krijohet ideja se kjo narrativë është shumë e fortë dhe kështu duhet bërë ndryshe nuk kemi shpëtim. Ose për të cituar kryeministrin “nuk do ketë më një gjeneratë fëmijësh”. Të gjithë mendojnë “njëlloj”, të gjithë e shohin me shqetësim. Nëse në 13 kronika televizive të përmendin 45 raste ngacmimi seksual në Tik-Tok, apo lajme të tjera relevante, ia pohojnë tezën kryeministrit.

Ky refren me kanale të ndryshme komunikimi por me një mesazh homogjen, edhe nëse ia del që mos të ngjisë te një pjesë e kontigjentit, e bën të ndihet i pafuqishëm për ta shprehur këtë kritikë. Po flasim për demokraci, jemi në shifrat nga qeveria: 90% pro. Kureshtje kam, ky 10% çfarë mendon? Edhe nëse kjo shifër është reale, cilës prej dy “mendimeve” me kaq shumë diferencë në numra i është bërë lavazh truri?
(Po e lë të hapur pyetjen qëllimisht.)

Sa është % e komunitetit në vend? Kjo është pikëpyetja e radhës që ngre, duke patur kryefjalë demokracinë.
Gjëja e parë që u është thënë në sallë auditori çdo studenti të shkencave sociale është se perkufizimet e nocioneve nuk janë si formulat dhe se këto nocione nëse nxisin një debat apo rrahje idesh, mund të klasifikohen në shkolla mendimi, ku qasjet për çështje të caktuara, problematika, kazuse apo një grupim idesh të kenë degëzimet e tyre. Ky është mësimi më demokratik që u mësohet studentëve të shkencave sociale, pasi është kyçe.

Edukimi me idenë se nuk mund të ketë vetëm një lente dhe se gjithësekush ka të drejtë të rrëzojë një ide apo mendim. Ama edhe ky rrëzim kërkon: respekt, vullnet për t’i marrë më të mirën diskutimit në terma praktikë dhe argument.

Ndaj nëse kemi dy pole siç e konsideroi sot në fjalim kryeministri (si më poshtë), mund t’i analizojmë kështu.

  1. Parlament/ Media
  2. Komunitet
    Ndërhyrjet e këtyre dy poleve Rama i sheh më tepër si sebep për të reaguar.
    “A bëhet ngjarja arsye apo sebep që shoqëria të futet në përleshje se kush e ka fajin.”- tha Rama sot në përpjekje të mekur ta drejtonte si pyetje të hapur.

Është e pamohueshme se komuniteti pati arsye që reagoi, pavarësisht numrit, pasi pati zgjim ndaj problematikave të thella sociale, jo vetëm lot. Po këtë betejë, komuniteti e ka i vetëm, pa mbështetjen e medias, pa mbështetjen e opozitës. Ndaj s’mund të jetë sebep, aty ku dominon arsyeja.

Ndërkohë mediat në fakt ushqejnë, e ngopin shqisat e njerëzve për qëllime tërësisht tallëse: Klikimet. Po si mos të jetë qëllim parësor për gazetarët klikimet kur misionin ua diktojnë të tjerët? Cili është roli mediatik ku pjesa më e madhe e mediave ka një vijë të caktuar editoriale e caktuar për interesa krejtësisht personale? Ku mbetet roli mediatik përveçse te përdorimi i ngjarjes si një dramë turke me regji të stisur në Tik-Tok?

Po Parlamenti? Opozita e ka sebep se nuk ka respekt, vullnet e argument sa kohë kryeministri ka vetëm një gjuhë komunikimi karshi tyre (deri diku të drejtë):

  1. Barazon PD me dështimin. Nëse Rama nënkupton diçka tërësisht shterpë e të dështuar e lidh gjithnjë me opozitën, në çdo fjalim.
  2. Lidhja e PD-së me terrin. Me të shkuarën, me atë që është prapa. Me atë që nëse e krahasojmë me atë që po bën PS është si dita me natën.
    Si mund të dalë Parlamenti me arsye të flasë për një ngjarje të tillë? Në një kohë ku Rama e ka zhveshur nga çdo retorikë objektive.

Politikat 10 hapa para të PS-së

Po, TikTok ka problemet e veta – përmbajtje e pafiltruar, varësia dixhitale dhe mungesa e kontrollit mbi atë që konsumojnë fëmijët. Duhet patjetër monitorim dhe edukim më i mirë. Por, kur një qeveri që nuk arrin të sigurojë librat falas për çdo nxënës apo kushte bazike në shkolla shpall platformën dixhitale si pengmarrëse të rinisë, është thjesht llustër me gëlqere.

Rama u kujdes sot të theksonte masat “revolucionare” që po ndërmerr për arsimin. Le t’i analizojmë:

  • Survejimi i nxënësve në klasë: A po flasim për arsim apo për një projekt të ri Big Brother? Çdo prind dhe çdo fëmijë në Shqipëri do të ndiejë pasojat e një mase që më shumë i trajton fëmijët si të dyshuar sesa si nxënës. Në vend që të krijojmë hapësira për mendim kritik, po ndërtojmë klasat (shkollat) si hapësira survejimi. Pastaj çdo bëhet me ato përmbajtje? Do edukoni apo do i nxisni t’i bëjnë gjetiu ato gjëra që s’i bëjnë dot në shkolla.
  • Instituti i fëmijëve me probleme me ligjin: T’i izolojmë, t’i etiketojmë dhe t’i lëmë në një qoshe? Kjo është mënyra më e shpejtë për të prodhuar një brez të ri që do të luftojë më shumë me sistemin sesa të bashkëpunojë me të. Në vend që të merremi me shkaqet, zgjidhja është të krijojmë më shumë institucione që ndajnë, përjashtojnë dhe etiketojnë.
  • Fermat në shkolla: Një ide që tingëllon bukur në teori, por a kemi dëgjuar ndonjëherë për “ferma” që ndihmojnë arsimimin në një vend ku nxënësit nuk kanë laboratorë, sportelet e bibliotekat moderne? Për cilat ferma po flasim kur ne ende diskutojmë për ngrohje në shkolla gjatë dimrit?

Duket qartë se këto masa janë një përzierje e politikave absurde që mund të tingëllojnë mirë në ndonjë konferencë shtypi, por në realitet nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë për më vonë problemet e thella të arsimit. Dhe ndërkohë që ne diskutojmë TikTok-un si “armikun e madh”, institucione të tjera që duhet të mbronin fëmijët dhe edukimin e tyre kanë dështuar me sukses.

Po, TikTok duhet monitoruar, fëmijët duhet mbrojtur nga përmbajtjet e dëmshme, por kjo nuk mund të bëhet nga një qeveri që prodhon masa që duken më shumë si një serial distopik sesa një strategji reale për zhvillim. Në fund të ditës, problemi nuk është vetëm TikTok-u. Problemi është ai që e përdor TikTok-un si mburojë për të fshehur të gjitha dështimet që janë në ajër prej vitesh.

Latest articles

Related articles