Kryetarja e degës së Demokratëve Euroatlantikë në Lezhë, Alfrida Marku, ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e kapacitetit për akomodimin e fëmijëve në çerdhet publike të qytetit. Aktualisht, e vetmja çerdhe publike në Lezhë, me kapacitet për 70 fëmijë, po shërben për rreth 110 fëmijë, ndërkohë që kërkesa është shumë më e lartë.
Ajo shprehet se do të propozojë që për Buxhetin Vendor 2024, të parashikohen ndërtime çerdhesh dhe kopshteve në të gjitha lagjet e qytetit, rikonstruksionin e hapësirave ekzistuese dhe përshtatjen e objekteve në pronësi të bashkisë. Sipas saj, një zgjidhje konkrete është kthimi i godinës së vjetër të gjimnazit “Hydajet Lezha” në një çerdhe dhe kopsht të ri.
Postimi i plotë i Alfrida Markut:
Kjo është e vetmja çerdhe publike e qytetit të Lezhës, në administrim të Bashkisë, ku çdo ditë marrin shërbimin edhe përtej kapacitetit rreth 110 fëmijë. Kërkesa e prindërve për të regjistruar fëmijët, çdo vit, është disa herë më e lartë.
Në 3 vitet e fundit, në qytetin e Lezhës, kanë lindur 1500 fëmijë, POR ne kemi në dispozicion të tyre vetëm 1 çerdhe publike me kapacitet normal për 70 fëmijë.
Nisur nga bisedat me shumë prindër, e në vecanti me shumë nëna, për të cilat akomodimi i fëmijëve në çerdhe do tu jepte mundësi të punonin, një ndër propozimet që do paraqes në Këshillin e Bashkisë për Buxhetin vendor të vitin e ardhshëm është ofrimi i shërbimit të çerdheve e kopshteve në të gjitha lagjet e qytetit, si prioritet i Bashkisë Lezhë.
Zgjidhja e këtij problemi është plotësisht e mundur:
Ndërtimi i objekteve të reja dedikuar çerdheve e kopështeve,
rikonstruksioni dhe përshtatja e hapësirave të caktuara pranë institucioneve ekzistuese arsimore apo e objekteve të tjera në pronësi të Bashkisë Lezhë.
Një zgjidhje e mundshme dhe konkrete është kthimi i godinës së vjetër të gjimnazit “Hydajet Lezha” në çerdhe e kopësht për fëmijët e qytetit të Lezhës: duke rikonstruktuar dhe përshtatur këtë godinë apo duke e rindërtuar nga fillimi.
Unë jam e bindur, ashtu sikurse secili nga Ju, se mirërritja dhe edukimi i fëmijëve si dhe punësimi i grave, kanë prioritet krahasuar me cilindo investim tjetër të mundshëm.