Katër persona janë arrestuar nga agjentët e Krimit Kibernetik në Tiranë, në bashkëpunim me Operacionalen dhe Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në kryeqytet, pasi akuzohen për skandalin e patentave të hetuar nga SPAK.
Një oficer policie dhe tre ish-zyrtarë të patentave akuzohen se merrnin ryshfet deri në 1500 euro për leje qarkullimi dhe Gjykata e Posaçme, në mbyllje të procesit të gjykimit, i ka dënuar me burg.
– Enis Balla, 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 8 muaj burgim për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim;
– Kujtim Xhaja, 50 vjeç, banues në Tiranë, (punonjës Policie) pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
– Alkid Ndreu, 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 9 muaj e 25 ditë burgim për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
– Revi Osmani, 28 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 8 muaj burgim për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.
Një vit më parë, SPAK njoftoi dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të 25 të pandehurve të akuzuar se merrnin dhe jepnin ryshfet për të kthyer para afatit patentat e pezulluara. Mes të pandehurve ishin edhe katër punonjës të Policisë së Shtetit.
“… rezulton e provuar se lejet e drejtimit të automjeteve të shtetasve: Besiko Demaj, Greis Rafti, Enis Balla, Sotiraq Lamaj, Lidian Broshka, Oltjan Mucaj, Revi Osmani, Neritan Selmani, Spiro Tore, Selim Skënderi, Renato Meçuli, Ervis Dakolli, Endrit Xhambazi, Vilson Zelia, Altin Koçi, Ardian Peposhi, posedoheshin nga këta shtetas të ndëshkuar me masën administrative të pezullimit të lejes së drejtimit dhe janë marrë nga kartoteka e Organi Administrativ Shtetëror (OASH) para afatit të pezullimit“, citohej në njoftim.



