nga Taulanda Jupi
Bllokimi masiv i llogarive bankare të mbi 30 mijë bizneseve për vonesa në pagesën e taksës së ndërtesës, dështimi i institucioneve për të informuar bizneset mbi detyrimet që lindin nga vendimet e këshillit bashkiak si dhe marrja e masave ekstreme, është një tregues shqetësues i arrogancës së Bashkisë Tiranë dhe institucioneve në varësi të saj, i mungesës së vullnetit për zgjidhur situatën me transparencë e dialog me sipërmarrësit e ndershëm.
Bllokimi i aktivitetit të mbi 30 mijë bizneseve ka pasoja direkte mbi punësimin, konsumin, të ardhurat e qytetarëve dhe dëmton rëndë klimën e biznesit në Tiranë.
Kjo mënyrë arbitare e të vepruarit ndëshkon sektorin privat, i cili është shtylla kryesore e ekonomisë lokale. Gjithashtu kjo situatë nuk është vetëm një krizë taksash, por një tregues i qartë për mënyrën se si Bashkia Tiranë trajton sipërmarrjen private.
Është e domosdoshme që Bashkia e Tiranës dhe institucionet përkatëse të ndërmarrin hapa për të lehtësuar këtë situatë. Në vend të masave shtrënguese, duhet të ofrohen zgjidhje si shtyrja e afateve të pagesës, reduktimi i normave të interesit për detyrimet e vonuara dhe vendosja e një komunikimi efektiv dhe të drejtë për të ndërtuar një mjedis ku sipërmarrësit të ndihen partnerë dhe jo të ndëshkuar.
Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj nuk duhet të harrojnë asnjë çast se është pikërisht sipërmarrja e ndershme që mban në këmbë ekonominë dhe jetën sociale të kryeqytetit. Jo të gjitha sipërmarrjet e bizneset janë si kompania “5D”. Në këtë qytet ka njerëz të ndershëm që punojnë e përpiqen çdo ditë për të mbijetuar. Mos i ndëshkoni ata me arrogancë!
Një qasje pro-biznes nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një investim për të ardhmen e gjithë komunitetit. Vetëm përmes një mbështetjeje të qëndrueshme ndaj sipërmarrjes mund të ndërtojmë një ekonomi lokale të fortë dhe një qytet që i shërben të gjithëve.



