Gaz Paja investitor strategjik në Dhërmi, aktori: Më thanë banorët ‘je djalë i mirë, na gjej ndërtues’

Aktori i njohur Gazment Paja ka zbuluar sesi ka marrë statusin e “investitorit strategjik”. Në një intervistë të dhënë për podcastin “Garage Lock”, aktori Paja pretendon se në fakt i janë afruar pronarët e tokave në Dhërmi dhe i kanë kërkuar ndihmë që të gjejë një ndërtues. Kështu, sipas tij, ka marrë edhe statusin pasi kompanitë e kontaktuara prej tij i përmbushnin të gjitha kushtet. Por pas publikimit të lajmit, Paja shton se i janë hequr padrejtësisht shumë nga gjërat që i takonin vetëm sepse çështja u bë mediatike.

“Investitori strategjik ka të bëjë me një situatë që unë nuk i rashë në qafë shtetit si çdo qytetar i republikës. Mu dha mundësia që me disa banorë të Dhërmiut të gjeja disa toka, kërkova ndihmën e disa miqëve të mi privatë që t’i futeshim kësaj gjëje. Investitorin nuk e kam marrë unë por kompanitë që plotësonin kushtet që kishte vënë qeveria. Jo më kot, në Tiranë sot paguan 8+1% taksën e shtetit çdo ndërtues për të klasifikuar se cili ndërtues është më i zoti. Pra nuk i kam bërë unë, por kam thënë kam një tokë, “do të vish ta marrësh?”, nëse ai merr 9 lekë, unë marr 1. Sepse nuk e kam mundësinë për të zhvilluar një ndërtim dhe as nuk e marr vesh. Thjesht u përpoqa nga dashamirësia e publikut në terren që më thanë ‘ty ta besojmë se je djalë i mirë, na gjej një ndërtues’. Kështu ka lindur historia! Kur për këtë e ka të drejtën një qytetar i panjohur, pse mos ta kem unë? Kaq është kjo! Biles nga lajmet padrejtësisht jam penalizuar nga shteti, duke mu zvogëluar benefitet që pretendoja. E prapë them nuk më intereson. Letrat janë aty, të vijë kush të dojë dhe t’i kontrollojë dhe ta kuptojë se jam shumë i pastër në këtë aspekt,”-tha ndër të tjera në fjalën e tij aktori.

2 vite më parë, aktori i humorit Gaz Paja fitoi statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort luksoz në Dhërmi, me vlerë 13.8 milionë euro. “Dhërmi Resort” parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Për ndërtimin e resortit do të bashkëpunojnë kompania e tij ‘Ecotech Energy Services’, së bashku me kompaninë ‘Startek’.

Latest articles

Related articles